Kasami: Ali Ahmeti në vend që të shkruan letra të punojë për të reformuar partinë e tij

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa dhe kryetar i komunës së Tetovës, komentoi letrat që Ali Ahmeti u dërgon kryeministrit dhe politikanëve të huaj, duke vlerësuar se ato nuk janë në interes të qytetarëve. Kasami i bëri thirrje Ahmetit të fokusohet në reforma në partinë e tij, BDI.

“Fatkeqësisht, Ali Ahmeti nuk ka punuar në interes të qytetarëve, as kur ishte në pushtet, as tani në opozitë. Në vend që të punojë për të reformuar partinë e tij dhe të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, ai po merret me çështje që nuk janë të tijat, në vend që të punojë për qytetarët. Tani në opozitë, në vend që të sillet si një parti opozitare, ai fatkeqësisht ka kohë të shkruajë letra. Ndërkohë që ai shkruan letra, ne realizojmë projekte në interes të qytetarëve, si në nivel lokal, ashtu edhe qendror,” tha Kasami nga Tetova.

Sipas liderit të Lëvizjes Besa, statusi i shqiptarëve nuk është i rrezikuar, siç pohon Ahmeti në letrat e tij.

“E sigurojmë Ahmetin dhe të gjithë qytetarët në këtë shtet se nuk ka kthim prapa për të drejtat e shqiptarëve. Ne si koalicion do të punojmë për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve. Për ne është e rëndësishme që Maqedonia të ecë përpara, të forcohen marrëdhëniet ndëretnike dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të përmirësohen. Me veprimet tona, tregojmë se po punojmë për interesin e qytetarëve,” tha Kasami.

Kasami gjithashtu theksoi se kjo qeveri po punon më shumë për realizimin e Korridorit 8.

“Gjithmonë u ankuan për Korridorin 8. Dje, kryeministri, ministrat dhe ambasadorja amerikane dolën në terren dhe treguan se ajo që qeveria e mëparshme vetëm e deklaronte, tani qytetarët janë dëshmitarë se puna për këtë korridor po ecën intensivisht. Ajo që Ahmeti premtoi dhe nuk e realizoi, ne po e bëjmë të kundërtën. Ne realizojmë më shumë se sa kemi premtuar,” tha Kasami.

Në Tetovë, si kryetar komune, Kasami promovoi një parking të ri për banorët në Bllokun Urban 100.