Kapen 11 ton kokainë në brigjet spanjolle: I përkisnin klanit shqiptar

Kjo ishte kapja më e madhe e bërë ndonjëherë në Galicia, një rajon që ka shërbyer prej kohësh si një portë për në Evropë për kokainën nga Amerika Latine dhe që nxjerr në pah fuqinë e të ashtuquajturit ‘karteli ballkanik’.

Njëmbëdhjetë ton kokainë të importuar nga organizata kriminale shqiptare janë sekuestruar në Spanjë në dy operacione, njoftoi të martën policia spanjolle, duke nënvizuar rëndësinë e mafies ballkanike në trafikun e drogës.

“Në një javë, ne kemi arritur të heqim 11 ton kokainë nga tregu”, tha në një konferencë për shtyp në Madrid, Antonio Martínez Duarte, kreu i Brigadës Qendrore të Njësisë për Drogën dhe Krimin e Organizuar të policisë spanjolle.

Droga e sekuestruar erdhi nga Kolumbia nëpërmjet Ekuadorit dhe u gjet në kontejnerë që kishin mbërritur në portet e Vigos, në Galicia dhe Valencia.

Në operacionin e parë, policia në Vigo sekuestroi 7.5 ton kokainë të fshehur në fileto peshku të ngrirë.

Kjo ishte kapja më e madhe e bërë ndonjëherë në Galicia, një rajon që ka shërbyer prej kohësh si një portë për në Evropë për kokainën nga Amerika Latine.

Operacioni i dytë, në Valencia, rezultoi në sekuestrimin e 3.4 ton kokainë të fshehur në fundet e dyfishta të kontejnerëve detarë.

Njëzet persona u arrestuan në këto dy operacione nga fundi i nëntorit deri në fillim të dhjetorit.

Shumica ishin shqiptarë, por përfshinin edhe një kolumbian, një dominikan dhe disa spanjollë, duke përfshirë një sipërmarrës galician që përdorte biznesin e tij të importit të peshkut për të organizuar transportin e drogës.

“Të dy operacionet nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. E vetmja lidhje mes tyre qëndron në faktin se ne besojmë se organizatat që qëndrojnë pas tyre janë me origjinë shqiptare”, tha Duarte, duke theksuar se mafiozët e Evropës Juglindore, me nofkën “Karteli ballkanik”, ishin me “interes shumë të ngushtë për të gjitha forcat policore evropiane”.

Sipas tij, mafia shqiptare ka disa kohë që monopolizojnë transportin e drogës.

“Jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën Latine. Këto organizata janë vendosur në vendin e origjinës (Amerika Latine) dhe kontrollojnë transportin e drogës nga fillimi në fund”.

Sipas komisionerit Carlos Gomez, kreu i Skuadrës Qendrore të Drogës, kontrolli i trafikut të kokainës në Evropë ka ndryshuar duart.