Kaos dhe radhë të gjata në Bllacë e shkaktuar nga pala e Maqedonisë

Edhe sot kaos dhe radhë të gjata në vendkalimin kufitar Bllacë, e shkaktuar nga ana e autoriteteve kufitare të Maqedonisë.
Sipas njoftimeve jozyrtare të MPB, kjo situatë ka ndodhur mbrëmë për shkak të rënies së sistemit elektronik. Por as sot nuk ka ndonjë sqarim zyrtar.

Udhëtarët reagojnë të revoltuar me këtë gjendje të krijuar nga dita e djeshme. “Edhe mbrëmë ka qenë situatë e njejtë dhe nuk po kuptojmë pse ky kaos vetëm në këtë pikë kufitare. Kam qenë mysafir në Kosovë tani jam ktu me orë duke pritur”, thotë një qytetar nga Shkupi.

Edhe kalimtarët nga Kosova shprehen të revoltuar. “Ne kemi planifikuar pak ditë pushime dhe të harxhojmë lekë në Maqedoni, kurse shikoni këta çfarë situate krijojnë. Nuk kuptojmë pse pikërisht me këtë pikë ka shpesh telashe”, thekson qytetari nga Kosova.
Ata kërkojnë që autoritetet përgjegjëse dhe përfaqësuese të shohin këtë kaos ku po pësojnë edhe fëmijë e të moshuar, për shkak të pritjeve shumëorëshe.