Kancelari i ri gjerman kërkon bisedime katërpalëshe për Ukrainën

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se e sheh me shqetësim situatën në kufirin ukrainas. Ai theksoi rëndësinë që Gjermania dhe Franca të punojnë “në të njëjtin drejtim” në politikën e jashtme.
Pak pasi bëri betimin si kancelar i Gjermanisë, Olaf Scholz u takua sot me Presidentin francez Emmanuel Macron në Paris. Macron-i e uroi Scholz-in për zgjedhjen e tij dhe foli për “themelet e forta” në bashkëpunimin mes dy vendeve.

Presidenti francez Macron dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe miqësor me Gjermaninë nën qeverinë e re federale. Gjatë vizitës së parë të kancelarit Scholz, ai vlerësoi bashkëpunimin “efektiv” me ish-kancelaren Merkel. Ai dëshiron të vazhdojë në këtë rrugë me Scholz-in. Ai tha se e njeh Scholz-in si një evropian të vendosur. Kjo është pikërisht ajo që nevojitet tani. Ata i bashkon vullneti i përbashkët për të forcuar Evropën, tha Macron-i.

Macroni kërkoi mbrojtjen më mirë të kufijve të BE. Për çështjen e emigracionit, synimi është të mbrohen më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së, të forcohet efektiviteti i luftës kundër rrjeteve të emigracionit të paligjshëm dhe kontrabandës dhe të përmirësohet bashkëpunimi me vendet e origjinës, tha Macroni. Emigrantët që nuk kanë të drejtë qëndrimi duhet të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Në të njëjtën kohë, e drejta për azil duhet të ruhet.

Scholz: Gjermania dhe Franca “në të njëjtin drejtim” në politikën e jashtme
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz theksoi rëndësinë që Gjermania dhe Franca të punojnë “në të njëjtin drejtim” në politikën e jashtme. Scholzi foli për një vizitë miqësore. Bëhet fjalë që ta bëjmë Evropën më të fortë, tha ai. “Çështja është si mund ta bëjmë Evropën të fortë, sovranitetin evropian në të gjitha dimensionet që e shoqërojnë atë. Bëhet fjalë me çështjet ekonomike, çështjet e sigurisë dhe çështjet e politikës së jashtme.” Marrëdhëniet gjermano-franceze vazhdojnë të zhvillohen mirë.

Scholz-i dhe Macron-i folën për vatrat e krizës në Evropën Lindore, përkatësisht tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës, si dhe migrimin përmes Bjellorusisë.
Scholz-i bën thirrje për bisedime në formatin e Normandisë.

Scholz-i tha se e sheh me shqetësim situatën në kufirin ukrainas. Paprekshmëria e kufijve në Evropë është një parim i rëndësishëm për të garantuar paqen. Scholzi bëri thirrje për bisedime të reja katërpalëshe me Moskën për të qetësuar situatën. Ai tha se rregullat duhet të respektohen nga të gjithë.
“Ne kemi një bazë të mirë që duhet të ringjallet – për shembull bisedimet e formatit të Normandisë”, shtoi ai, duke iu referuar diskutimeve mes Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës, të cilat synojnë të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës.

Macron-i theksoi veçanërisht rëndësinë e formatit të Normandisë në konfliktin ruso-ukrainas dhe të kufijve të jashtëm të përbashkët evropianë. Macron-i tha: “Ne duam të mbrojmë stabilitetin dhe sovranitetin e Ukrainës”.
Të dy vlerësuan bisedën e presidentit amerikan Joe Biden me liderin rus Vladimir Putin.
Ekziston gjithashtu nevoja për një përgjigje të përbashkët ndaj ndryshimeve klimatike.

U diskutua edhe për marrëdhëniet me Kinën. Scholz u largua nga Parisi për të udhëtuar drejtpërdrejt në Bruksel për vizitën e tij të parë te krerët e BE dhe NATO-s. Në Bruksel, Scholz-i do të takohet me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, Presidentin e Këshillit të BE, Charles Michel dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg./DW