Kanalet ruse dhe ato serbe përhapën dezinformata dhe pro*pagandë për Kosovën në platformën Telegram

Kanalet ruse dhe pro-ruse në rrjetin social Telegram, të cilat deri më tani ishin të fokusuara në justifikimin e pushtimit në Ukrainë, u interesuan pothuajse njëkohësisht për situatën në veri të Kosovës. Situata në veri po normalizohet gradualisht, derisa nga rrugët janë larguar kamionët dhe barrikadat, me të cilat serbët vendas kanë bllokuar rrugët që çojnë në dy pikat kufitare Kosovë-Serbi. Bllokada pasoi pasi autoritetet në Kosovë njoftuan zbatimin e dy vendimeve të Qeverisë për targat dhe dokumentet e Serbisë nga 1 gushti. Afati për zbatimin e vendimeve, pas tensioneve, më pas është shtyrë me një muaj.

Shpërndarja e organizuar e dezinformatave dhe pro*pagandës
Konsistenca që tregon për një rrjet të organizuar, u shfaq më 31 korrik pas orës 19:00, kur kanalet që publikonin në rusisht dhe serbisht e transmetuan të njëjtin njoftim me një ndryshim prej disa minutash. Bëhet fjalë për gjoja plagosjen e parë të serbëve në bllokadën drejt vendkalimit Jarinjë.

Ekstremisti rus Vladislav Pozdnyakov që është themeluesi i organizatës radikale “Shteti i Burrave”, i cili në publikimet e tij mbështet hapur pushtimin rus të Ukrainës, publikoi informacionin në kanalin e tij Telegram. Më shumë se 116 mijë njerëz e ndjekin atë në Telegram, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Mitrovicën Veriore, Zlatan Elek kishte konfirmuar për mediet vendore, të dielën në mbrëmje, se asnjë person i lënduar nuk është paraqitur në objekt që nga fillimi i bllokadës. Policia e Kosovës gjithashtu njoftoi se në disa vende janë dëgjuar të shtëna, se disa kanë qenë të drejtuara në njësitet policore, por nuk ka të lënduar.

Kanalet ruse kanë publikuar edhe një fotografi të çizmes dhe një pjesë të uniformës së një personi të paidentifikuar me deklaratën se ushtria serbe është në gatishmëri për të ndërhyrë, siç thuhet, në kufirin administrativ, përkatësisht në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Që nga viti 2001, Ushtria serbe ka të drejtë të patrullojë pjesën tokësore, e cila mbulon një zonë pesë kilometra të gjerë përgjatë kufirit me Kosovën. Megjithatë, që nga tërheqja nga Kosova në qershor 1999, ushtria dhe policia serbe nuk kanë mundur të kalojnë në territorin e Kosovës.

Për shkak të dezinformatave që po përhapeshin, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka reaguar duke thënë se “Ushtria serbe ende nuk e ka kaluar vijën administrative dhe në asnjë mënyrë nuk ka hyrë në territorin e Kosovës”. Gjysmë ore më vonë, kanali në gjuhën serbe “Rebelimi është një gjendje shpirtërore”, e cila informon çdo ditë 61 mijë ndjekësit e saj për pushtimin e Ukrainës, publikoi informacione për raporte jozyrtare për transferimin e aeroplanësve serbë në aeroporte dhe fusha afër Kosovës.

Pak minuta më vonë “Lajmëtari serb” si dhe kanalet në gjuhën ruse “Rusia e Madhe” dhe “Shqiponjat” bënë të njëjtën gjë në rusisht. Ky informacion nuk është publikuar apo konfirmuar askund zyrtarisht. Pas pak kohësh, llogaria “Rosich” që është pjesë e njësisë paraushtarake ruse Wagner, e cila po lu*fton në lindje të Ukrainës, iu bashkua shkëmbimit të informacioneve për Kosovën. Në publikim thuhet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Ushtria e Kosovës synon të sulmojë veriun e vendit në mesnatë. Ajo që tha Vuçiq në konferencën për media të asaj dite është se zbatimi i vendimeve të autoriteteve të Kosovës për tabelat dhe kartat e identitetit do të fillojë në mesnatë.

“Shqiptarët kanë dërguar dy njësi me 21 tonelata karburant në vendkalimet administrative, me dëshirën për të ndaluar ata që kanë letërnjoftime serbe. E gjithë kjo duhet të fillojë sonte në mesnatë, ndërsa në të njëjtën kohë të bindin serbët të heqin dorë nga tabelat KM”, pati thënë Vuçiq. Të njëjtat akuza me disa minuta diferencë i ka publikuar edhe kanali në Telegram “Rusia e Madhe”, si dhe Vladislav Pozdnjakov.

Rrjeti i ekstremizmit dhe dezinformimit
Ky lloj rrjeti për përhapjen e dezinformatave ka kohë që po ndërtohet, thotë drejtori i hulumtimeve në Qendrën për Politikë dhe Siguri, Predrag Petroviq. Sipas tij, kjo është mënyra e veprimit të grupeve të ndryshme ekstremiste që janë të lidhura me njëri-tjetrin.

“Qëllimi kryesor i kësaj është të krijohet përshtypja se numri i tyre është i madh dhe se ata mbështeten nga një numër i madh njerëzish. Është gjithashtu një mënyrë për të arritur një audiencë sa më të gjerë”, thotë Petroviq. Ai paralajmëron se një mënyrë e tillë komunikimi është “mjaft efektive” veçanërisht me njerëzit që kërkojnë një alternativë ndaj politikës kryesore.

“Ata ua ofrojnë atë alternativë në pozicionet e ekstremit të djathtë. Është veçanërisht e rëndësishme që ata të përpiqen të përdorin ato kanale për të tregtuar informacionin që jep përshtypjen e autenticitetit – se është nga terreni, ekskluziv dhe i dorës së parë. Është i qasshëm te audienca dhe shpejt përhapet nëpër ato kanale”, shtoi ai.

Analistët rusë
Mendimin e tij për krizën në veri të Kosovës e ka dhënë edhe analisti rus Leonid Savin, bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksandar Duginit që është “truri ekstremist” i Vladmir Putinit. Në kanalin e tij “Kybernet”, ai ka shpërndarë tekstin e organizatës ekstremiste “Katehon”, e cila është në pronësi të biznesmenit rus Konstantin Malofeev. Aty thuhet se Serbia shpreson në ndihmën e Rusisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Meqenëse rendi unipolar po shembet pas fillimit të operacionit special ushtarak në Ukrainë, serbët besojnë se pas një kohe ndryshimet gjeopolitike do të ndikojnë edhe në Ballkan, ku Moska do të jetë në gjendje të përdorë forcën e saj ushtarake për të rivendosur integritetin territorial të Serbia. Ky nuk është qëndrim zyrtar i autoriteteve deri më tani, por para aspiratave të popullit serb”, thuhet në tekst.

Në Serbi nuk është bërë asnjë hulumtim që ka të bëjë me qëndrimet e opinionit publik ndaj pushtimit ushtarak të Kosovës me mbështetjen e Rusisë. Një fotografi me ar*më e ekspozuar në një tavolinë, pranë ushqimeve dhe pijeve, diku në Mitrovicën e Veriut – u shpërnda njëkohësisht në shumë kanale ruse Telegram.

“Serbët e Kosovës po nxjerrin ar*mët. Dhe na besoni, aty ka mjaft ar*më ilegale”, thuhet në përshkrimin e fotografisë, të cilën ndër të tjera e ka publikuar kanali “Shqiponjat”, i cili drejtohet nga organizata joqeveritare Qendra ruso-serbe “Shqiponjat” me seli në Shën Petersburg.

Të njëjtën foto po me të njëjtin tekst, pothuajse në të njëjtën kohë e kanë shpërndarë edhe kanalet “Rosich” në rusisht dhe serbisht. Foto, së bashku me të njëjtin tekst, është shpërndarë edhe nga Dejan Beriq, një shtetas serb i cili po lu*fton në anën ruse në Ukrainë.

“Nxitësit e NATO-s”
Ramzan Kadyrov, lideri çeçen, forcat ushtarake të të cilit po lu*ftojnë në Ukrainë në anën e Rusisë, foli edhe për tensionet në veri të Kosovës. Kadyrov në kanalin e tij Telegram, të cilin e ndjekin 2.6 milionë persona, ka shkruar se i përcjell ngjarjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me vlerësimin se është një “situatë komplekse”, në të cilën NATO ka marrë anën e “nxitësve”.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilin unë e njoh mirë, e kupton shumë mirë se çfarë është NATO dhe çfarë metodash përdor Aleanca për të nxitur konflikte”, thotë Kadyrov, sundimtari autokratik i Republikës Çeçene, e cila ka autonomi brenda Federatës Ruse. Ai akuzoi NATO-n se, “po përpiqet të korruptojë vendet me vlera tradicionale” dhe t’i kthejë ato “në një tufë njerëzish të këqij me instinkt kafshësh pa besim dhe nder”.

Misioni i KFOR-it në Kosovë, që funksionon nën drejtimin e NATO-s, më 31 korrik, pas vendosjes së bllokadave në veri të Kosovës, ka njoftuar se është duke i monitoruar me kujdes ngjarjet dhe se është e gatshme të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti në vend. Autorizimet për këtë mision burojnë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e miratuar në vitin 1999. Rezoluta u mbështet nga të 14 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Rusinë.

Thirrje për dhu*në
Disa kanale në Telegram prisnin haptazi nga qytetarët dhe përfaqësuesit e shtetit serb që të fillonin veprime të dhu*nshme. Administratori i kanalit ” Rosich”, i cili ka afro 100 mijë ndjekës, në një postim më 31 korrik shprehu shpresën se “Vuçiq do të ketë vendosmërinë për të dhënë urdhër” për veprim ushtarak dhe se “ushtria serbe do të jetë mjaftë e fortë” për të “rrafshuar me tokë shqiptarët”. Më 31 korrik, kanali “Shqiponjat” publikoi një video ku shihej një grup i personave që djegin flamurin e Shqipërisë dhe bënin thirrje për vrasjen e shqiptarëve.

“Ne presim veprime të tilla qysh nesër në gjithë Serbinë dhe më gjerë”, thonë administratorët e kanalit në përshkrimin poshtë videos, duke theksuar se bëhet fjalë për një regjistrim arkivor. Në një postim të datës 1 gusht, i njëjti kanal shtron pyetjen “A kanë marrë zemër muzikantët dhe kanë filluar të mbledhin instrumentet e tyre?” Fjalët “muzikantë” dhe “instrumente” në këtë kontekst do të thotë “lu*ftëtarë” dhe “ar*më”. Në një postim të datës 4 korrik, ai kanal ka shfaqur një foto të një personi të ar*matosur me uniformë me nënshkrimin “Muzikanti nga Serbia”.

Kanali “Wagner Z Group”, i cili kryesisht promovon njësinë paraushtarake që lu*fton në Ukrainë, më 1 gusht ka publikuar një foto të flamurit serb, me një koment në rusisht “Kosova është Serbi. Denazifikimi është i pashmangshëm”. Ky koment i referohet formulimit të Kremlinit se Rusia nisi një “operacion ushtarak” më 24 shkurt me qëllim “denazifikimin e Ukrainës”, që pretendohej nga mbështetësit e pushtimit rus.

Militarizimi i shoqërisë
Petroviq thotë se rrëfimet e tilla janë të rrezikshme, pasi ato militarizojnë edhe më shumë audiencën që ndjek kanale të tilla.

“Ndihet domosdoshmëria e veprimeve ushtarake për hir të realizimit të disa interesave, në këtë rast realizimit të interesave kombëtare siç i shohin ata”, thotë Petroviq. Që kur Rusia nisi pushtimin më shumë se pesë muaj më parë në Ukrainë, shumë kanale ruse dhe serbe në Telegram publikojnë pro*pagandë pro-ruse dhe përhapin lajme dhe dezinformata të paverifikuara çdo ditë. Disa prej tyre haptas kishin vënë në shënjestër kundërshtarët e pushtimit rus, të cilët po protestonin në Beograd kundër lu*ftës në Ukrainë. /REL/