Kanada, shkon mbi 100 numri i të arrestuarve në “Konvojin e Lirisë”

Në kryeqytetin e Kanadasë, Otava, ka shkuar mbi 100 numri i personave të arrestuar që morën pjesë në protestën “Konvoji i Lirisë”, që u organizua nga shoferët e kamionëve si reagim kundër kufizimeve të COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave kanadeze, shefi i përkohshëm i policisë Steve Bell në një deklaratë ka vënë në dukje se dje janë arrestuar të paktën 100 protestues në protestat që vazhdojnë prej 3 javësh.

Bell theksoi se do të vazhdojnë përpjekjet ditë e natë derisa të sigurohet plotësisht kontrolli i rrugëve. Sipas tij, arrestimet janë bërë me akuzat për mosbindje dhe se në ngjarje është plagosur edhe një punonjës policie.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe 4 udhëheqës të protestuesve. Karrotrecat kanë mbërritur në vendin e ngjarjes nën shoqërimin e policisë dhe se ka filluar pastrimi i rrugëve nga barrikadat e ngritura.

Pas arrestimit të dy liderëve të rëndësishëm të protestës në orët e vona të enjten, policia e Otavës mbylli për të huajt një pjesë të madhe të qendrës së qytetit me qëllim për t’i dhënë fund okupimit dhe për të parandaluar ardhjen në ndihmë të protestuesve të tjerë.

Qeveria e Kanadasë në fillim të javës vendosi në zbatim Ligjin e Situatave Emergjente për t’u përballur me protestat “Konvoji i Lirisë” i cili kundërshton kufizimet për COVID-19 dhe i cili prej 3 javësh ka paralizuar kryeqytetin.

Gjithashtu thuhet se ligji i njohur edhe si “Ligji i Luftës” në vend, u zbatua për herë të parë që nga miratimi i tij në vitin 1988.