Ambasada e Kanadasë me seli në Beograd bëri të ditur se Kanada do t’i dhurojë Maqedonisë së Veriut 250 mijë dollarë kanadez si ndihmë në luftën kundër pandemisë së coronavirusit.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se shteti i Kanadasë vendosi të ndajë mjete në luftimin kundër pandemisë nëpërmjet ndihmës së shteteve më të rrezikuara, përmes financimit të organizatave ndërkombëtare që ndihmojnë menaxhimin me krizën gjatë pandemisë si dhe ndarje të mjeteve për hulumtime dhe zhvillim të angazhimeve që të gjendet vaksinë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Bashkëpunimi i Kanadasë me vendet e rajonit është dëshmi për bashkëpunimin e fuqishëm global që kirza e potencoi si të nevojshme, por edhe si strategji. Kanada ka qenë dhe mbetet partnere për zhvillimin e vendit”, tha Aneta Pesheva, konsull nderi i Kanadasë në Shkup.
Kanada dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie bilaterale pozitive edhe në kuadër të NATO-s ndërsa Kanada, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, mbështet fuqishëm procesin euro-integrues të vendit./Telegrafi