Kana dhe të tjerë/ Si e goditi koronavirusi industrinë e filmit?


As tapetë të kuq, as yje të kinematografisë, as Palmë e Artë. Për shkak të koronavirusit, organizatorët e Festivalit të Filmit në Kanë e anuluan. Fillimisht ata menduan ta zhvendosnin festivalin në fillim të verës.

Por edhe kjo ide u hodh poshtë. Sikurse edhe ideja e organizimit të festivalit në internet, thotë DË. Drejtori i Festivalit Thierry Frémaux tha në një intervistë se ky festival me historinë, shpirtin, shkëlqimin dhe traditën e tij nuk mund të shndërrohen në një festival online. Maji është koha e festivaleve të filmit edhe në Gjermani.

Gjysmën e parë të majit do të zhvilloheshin normalisht katër festivale të rëndësishëm ai në Oberhausen, në Shtutgart, në Visbaden dhe Mynih. Festivalet u anuluan për shkak të pandemisë, por ndryshe nga festivali në Kanë, organizatorët vendosën t’i ofrojnë disa nga filmat që kishin në program në internet.

Disa festivale planifikohen të riorganizohen në vjeshtë me shpresën se deri atëherë do të jetë përsëri e mundur që filmat të shfaqen para spektatorëve. Për shembull festivali i 20-të “GoEast” i Filmave nga Evropa Qendrore dhe Lindore, i cili qe parashikuar të zhvillohej nga 5 deri në 11 maj në Viesbaden, u anulua shtatë javë para fillimit. Por organizatorët vendosën për “një zgjidhje hibride”.

Gjatë periudhës disa nga pikat kulmore të programit u ofruan në inernet me pagesë, kurse disa filma të tjerë u shfaqën falas. Edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua online. Por festivalet online nuk do të jenë model për të ardhmen, theksojnë organizatorët e festivaleve. “Ne jemi tejet të bindur që filmat kanë nevojë për ekranin e madh të kinemasë dhe për këtë arsye kemi vendosur qëllimisht që të mos e ofrojmë programin tonë plotësisht online.

Qëllimi ynë i shpallur mbetet kinemaja si vendi i vetëm i vërtetë për filmin. Gjëja më e bukur e një festivali filmi janë “takimet midis audiencës, kineastëve dhe përfaqësuesve të industrisë së filmit” – thotë drejtori i festivalit të Oberhausenit Lars Henrik Gass.