Kamerunasi që u kap me mbi 1 milion euro të falsifikuara: M’i dha një shqiptar

53-vjeçari nga Kameruni, Josoue Ngankam që u kap një ditë më parë në aeroportin “Nënë Tereza” teksa futej në Shqipëri me 1 milion e 750 mijë euro të falsifikuara ka treguar se valixhen me para ia ka dhënë një shqiptar në Paris.

Ngankam është shprehur para grupit hetimor se nuk ia di identitetin shqiptarit në fjalë dhe se nuk e kishte idenë se paratë ishin të falsifikuara. Ai shton se shqiptari i kishte thënë se bashkë do të takoheshin sërish në Shqipëri në mënyrë që 53-vjeçari t’ia jepte valixhen po atij.

“Nuk kam qenë në dijeni të parave të falsifikuara që u gjetën në valixhe. Ajo valixhe nuk është e imja, unë jam vetëm transportuesi i saj. Një miku im shqiptar ma dha në Paris, që unë ta sillja në Tiranë dhe nuk e dija çfarë kishte brenda saj. Ai më tha ta sillja në Shqipëri dhe pastaj do e takoja dhe do e merrte po vetë ai. Emrin e saktë të tij nuk e di, pasi unë i thërras përmes një nofke, siç e thërrasin edhe njerëzit përmes të cilëve e kam njohur,”- ka thënë 53-vjeçari.

Josoue Ngankam u arrestua dje në Rinas. Në bagazh, kamerunasit iu gjetën edhe letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme. Ngankam kishte udhëtuar nga Parisi në Stamboll e më pas në drejtim të Shqipërisë.