Kamçev në gjykatë, me rezultat pozitiv të koronavirusit

Nëse biznesmeni Orce Kamçev është i prekur nga Covid 19 apo jo? Kjo ishte dilema kryesore rreth të cilët u përplasën në Gjykatën Penale të Shkupit avokatët e Kamçevit dhe prokurorja Lile Stefanova. Përkundër pretendimeve të avokatëve se Kamçev ka COVID-19, ai erdhi në gjykatë për t’u gjykuar për pastrim parash në rastin “Parcelat në Vodno”. Kamçevi u ul në anën e kundërt nga të pranishmit dhe ishte vetëm. Avokati Goce Ristevski ka sqaruar se ka pasur kontakt me person të sëmurë, kështu që ka shfaqur simptoma të virusit, shkruan Alsat.

“Sipas vendimit të Qeverisë, është paraparë izolim i detyrueshëm, dhe këto rrethana i di prokurori publik, ndonëse i akuzuari Kamçev sipas vendimit duhet të jetë në izolim, ai është i pranishëm në seancë pas vlerësimit të mbrojtjes dhe vlerësimit të tij personal sepse ende nuk ka vendim për vetë-izolim”, tha Goce Risteski, avokat i Kamçevit

Ndaj pretendimeve të avokatëve të Kamçevit ka reaguar prokurorja Lile Stefanova. Ajo nuk beson në tezat e avokatëve, sepse Kamçev bashkë me ta dy javët e fundit ka ardhur në Prokurori për të parë provat e hetimit për rastin kundër tij “Perandoria”. Atëherë, sipas Stefanovës, ai pohonte se ishte testuar dhe kishte pasur rezultat negativ për virusin.

“Testi i kryer dje tregon se personi ka qenë ndonjëherë në kontakt me virusin, dhe jo se ai është pozitiv”, tha Lile Stefanova, prokurore

“Faktet janë se Kamçevi ka një test të shpejtë antigjen pozitiv për Kovid 19 nga 27 janari dhe ai duhet të jetë në izolim”, tha Goce Risteski, avokat i Kamçevit

Kamçev është testuar në spitalin privat “Axhibadem Sistina”. I pyetëm se cila është procedura në spitalin e tyre kur pacienti i tyre rezulton pozitiv me test antigjen.

“Sipas ligjit, këta pacientë rezultojnë pozitivë dhe u jepet vendim për mjekim dhe izolim në kushte shtëpiake, nuk janë të detyruar të bëjnë test konfirmues PCR. Teste shtesë mund të kryhen nga pacientët me kërkesë të tyre dhe për interesa personale”, thonë nga Acibadem Sistina

Seanca e sotme për “Parcelat në Vodno”, është shtyrë, ndërsa në gjykatë nuk kanë ardhur as dëshmitarët. Ish-truproja e Gruevskit, Dejan Mitrevski – Urko dhe ish-kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski do të duhet të vijnë në gjykatë më 14 shkurt, kur do të vazhdojë gjykimi, ku i arratisuri Gruevski është i akuzuari i parë për blerjen e parcelave në Vodno me paratë e partisë./Alsat.mk