Kamberi: Nga dita e hënë do të fillojë beteja për kthimin Gjimnazit në gjendje normale


Jeton Kamberi do të jetë drejtor i ri i gjimnazit “Kirill Pejçinoviq” në Tetovë. Vendimi për emërimin e drejtorit të ri vjen pas shkarkimit të drejtoreshës Teuta Llalla. I vetëdijshëm për borxhet e mëdha që ka akumuluar gjimnazi, por edhe për situatën e krijuar së fundmi, drejtori i ri i gjimnazit Jeton Kamberi tha për Alsat se nga dita e hënë do të fillojë beteja për kthimin e kësaj shkolle në gjendje normale.

“Unë dje mora vendimin për emërimin dhe gjendja e shkollës është normale sigurisht në përjashtim të disa evidencave që duhet ti bëjmë fillimisht dhe të vijojmë me punën, fillimisht në aspektin organizativ të administratës e pastaj edhe mbarëvajtjes së procesit që devijoi nga fundi i kësaj periudhe, pra shpresoj se nga e hëna do i vëmë në binar. Shpresoj që të mos futemi më tepër në borxhe por të paguajmë borxhet sepse janë shumë të mëdha për një shkollë pra janë marramendëse sepse na kanë mbuluar kamatë vonesat dhe shumica e borxheve janë kamatë vonesa ndaj kompanive të ndryshme”, tha Jeton Kamberi, Drejtor i gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” Tetovë.

Nga Komuna e Tetovës thonë se shkarkimi i drejtoreshës erdhi si pasojë e vendimit të revizionit që sipas përgjegjësit për veprimtari publike kanë hasur në keqpërdorime të mjeteve të gjimnazit nga tashmë ish drejtoresha Teuta Llalla. Ndërkohë që këshilli i shkollës kishte kërkuar nga kreu i Komunës, shkarkimin e drejtoreshës

“Me aktgjykim të Administratives na u kthyen kompetencat, dhe duke ditur që gjatë periudhës së kaluar kreu i komunës nuk kishte hapësirë ligjore të veproj, me kthimin e kompetencave kreu i komunës veproi në bazë të propozimin të këshillit të shkollës, që kërkonin nga kreu i komunës shkarkimin e drejtoreshës me çka kreu i komunës është i obliguar në bazë të Ligjit që të veprojë, dhe pas kthimit të kompetencave kreu i komunës mori vendimin për shkarkimin e drejtoreshës. Procedurat tjera do vazhdohen nëpër institucionet përkatëse”, u shpreh Nazmi Dauti. Komuna e Tetovës.

Për shkak të shkarkimit të drejtoreshës Teuta Llalla, dy vjet më parë Ministria e Arsimit i kishte marrë kompetencat kreut të Komunës së Tetovës Bilall Kasami për emërim dhe shkarkim në gjimnazi ndërsa vetëm shtatë muaj më vonë Ministria i mori kompetencat e përgjithshme. Komuna ankimoi këtë vendim në Gjykatën Administrative, e cila javë më parë vendosi në favor të Komunës. Për këtë rast nga Komuna paralajmërojnë edhe padi. /Alsat.mk