Shefi i grupit të deputetëve “Lugina e Bashkuar” në Kuvendin e Serbisë, shqiptar Shaip Kamberi, ka thënë se Serbia është shtet i papërfunduar, raportojnë mediat serbe. Sipas Kamberit, e ardhmja e Serbisë nuk është zgjidhur ende dhe se këtu pengohet nga aspiratat territoriale.
“Për shkak të aspiratave territoriale që vazhdojnë të jenë të fuqishme, Serbia nuk është në gjendje ta kryej integrimin e vet të brendshëm”, është shprehur ai. Kamberi ka shfrytëzuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut për të theksuar në organin më të lartë ligjvënës në shtetin serb se nacionalizmi ekstrem që ka dominuar (në Serbi) gjatë viteve të 90-ta, sipas tij në fakt e ka ndryshuar vetëm formën.
Ndaj fjalës së Kamberit ka reaguar shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Serbisë, Gjorgje Miliqeviq, i cili e ka pyetur atë nëse ndonjë serb në cilindo territor dhe në cilindo parlament tjetër do të mund të fliste ashtu siç flet Shaip Kamberi në Kuvendin e Serbisë.
“Natyrisht se nuk do të mundej. Dhe kjo flet për respektimin e pakicave kombëtare këtu”, tha Miliqeviq. Ndërsa Kamberi vazhdoi duke theksuar se Qeveria e Serbisë nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar të drejtat njerëzore e të pakicave.
“Tridhjetë vjet nga rënia e sistemit njëpartiak, Serbia është larg nga ndërtimi i republikës moderne, qytetare, demokratike”, është shprehur Kamberi duke pyetur se cilat masa do t’i ndërmarrë Qeveria për t’i mënjanuar pengesat që e ndalin Serbinë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Edhe për këtë, Kamberit i ka replikuar deputeti serb.
“Kosova e ashtuquajtur dhe Serbia e fuqizuar nuk janë njësoj. Serbia gjeopolitikisht është shumë më e rëndësishme për SHBA-në dhe kjo është ajo që i shqetëson protagonistët e pavarësisë së Kosovës”, tha Miliqeviq