“Kam lënë 150 dele”/ Banori me lot në sy: Ku të shkoj? Po nuk pata bagëtinë me ça do ushqehem?

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në disa fshatra të Fierit, ku disa zona janë mbuluar nga uji, duke bërë që banorët të evakuohen. Por disa prej tyre kanë kundërshtuar, sepse nuk duan të lënë pas gjënë e gjallë.

“Vdes me dhëntë këtu jashtë. Mos të ngordhin bagëtitë. Kam lënë 150 dele në stan. Ka ardhur uji nga ora 3. Kishim nja 4 vjet që nuk kemi pasur probleme. Isha me gruan. Ku të vete unë? Po nuk pata bagëtinë, kot, me ça do ushqehem? Unë 70 mijë lekë pension marr”, u shpreh i moshuari.

“Qysh ta lë banesën vetëm, ka lloj-lloj gjërash. Gruan e çova tek një komshi që është në kat të dytë, vetë dola këtej. Tani do iki të ndërrohem tek çuni i xhaxhait se nuk kam nga futem në shtëpi”, tha një tjetër banor.

Nga shtrati ka dalë edhe lumi Seman. Situata është kritike edhe në Konispol, Finiq e Selenicë, ku deri tani janë evakuuar disa familje.