Kalo: Covid-19 është ulur këmbëkryq mes nesh! Lërini teorizimet për protagonizëm


Mjeku i njohur Tritan Kalo jep një mesazh për qytetarët në një kohë që infektimet me koronavirus, po shënojnë rritje prej ditësh.

Ai e cilëson si kohë kovidiane dhe thotë se “Puna, përkushtimi dhe profesionalizmi duhet të prevalojnë këto kohë në shëndetësinë tonë publike dhe jo vetëm. Si mantelbardhë duhet t’i bëhemi krah njëri-tjetrit në këtë sfidë mbarëbotërore”.

Sipas tij, teorizimet për protagonizëm por jo për zgjidhje praktike të ardhura këto javë nga burime si të brendshme po ashtu edhe të jashtëme, sidomos kur ato në harkun kohor të disa javëve kundërshtojnë njëra-tjetrën, nuk sjellin ndonjë dobi në përballjen me këtë sfidë, përkundrazi.

Mjeku Kalo deklaron se Sars-Cov2/Covid-19 është ulur tashmë këmbëkryq në mesin tonë

“Jo me mërira dhe hatërmbetje të pavlera, që disa i sjellin në vëmendjen tonë këto kohë, kur të tëra energjitë tona intelektuale dhe jo vetëm duhen përmbledhur në mirëmenaxhimin e kësaj sfide, që ishte, është dhe ndoshta do mbetet me shumë shqetësime edhe për vende me fuqi ekonomike dhe sisteme shëndetësore më të mirëpajisura e më mirë të financuara se Sistemi ynë Shëndetësor… Mirëbesimi dhe mirëkuptimi mes nesh si kolegë si dhe i yni me publikun, i cili për asnjë çast të mos e nënvlerësojë kujdesin ndaj vetes dhe të afërmve të tij, mbeten çelësat e zgjidhjes së kësaj sfide që ka vënë në vështirësi jetën e të gjithëve”, shprehet mjeku.

Në mbyllje bën këtë thirrje, “Bashkë me siguri ne do ja dalim mbanë… Javë të mbarë miq, kolegë e bashkëatdhetarë!!!”