Kallëzimi penal ndaj Bekteshit, VLEN: Partia nga e cila vjen Bekteshi ka qenë pjesë e një oktopodi të krimit

Nga koalicioni VLEN në lidhje me kallëzimin penal ndaj ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, thonë se mirëpresin dhe mbështesin çdo aktivitet që ka për qëllim forcimin e ligjit dhe rendit në Maqedoni të Veriut. Nga VLEN i bëjnë thirrje organeve gjyqësore që “përmes procedurës korrekte dhe të drejtë personi në fjalë të dëshmojë pafajësinë ose t’i vërtetohet fajësia varësisht prej provave”.

“Padia e fundit ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, për “pengim të drejtësisë,” e cila dyshohet se është kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare, e vërteton në mënyrë të qartë dhe të prerë që partia nga e cila vjen Bekteshi ka qenë pjesë e një oktopodi të krimit, korrupsionit dhe vjedhjes së votave. Ky rast është një dëshmi e fortë se periudha e gjatë e qeverisjes së partisë së Bekteshit ka sjellë jo vetëm vjedhje të qytetarëve, por edhe ushtrim të presionit të pashembullt mbi shqiptarët për të shprehur vullnetin e tyre të lirë përmes votës”, thuhet mes tjerash në reagimin e VLEN.