Kallëzim penal ndaj një personi nga Maqedonia i cili kishte udhëtuar në Rusi për të marrë pjesë në luftën Rusi-Ukrainë


Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Sektori për Luftën kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare, realizoi një rast dhe dje (29.11.) dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër J.K., shtetas maqedonas, për veprën penale “Pjesëmarrje në ushtri, polici, formacione paraushtarake ose parapolicore të huaja” (neni 322-a, paragrafi 3, lidhur me nenin 19) të Kodit Penal.

I kallëzuari, pasi ishte njohur më parë me material propagandistik që bënte thirrje për shërbim në ushtri, polici, formacione paraushtarake ose parapolicore të huaja për nevojat e Federatës Ruse, përmes një platforme komunikimi në internet kishte kontaktuar me një person të paidentifikuar, i cili ishte prezantuar si rekrutues i ngarkuar nga ushtria ruse për të rekrutuar ushtarë kundrejt një shpërblimi prej 3,000 eurosh.

Duke shprehur gatishmëri për t’u bashkuar me një njësi të sapokrijuar brenda ushtrisë ruse të destinuar për të luftuar në frontet e luftës në Ukrainë, i kallëzuari më 05.10.2024 udhëtoi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit përmes Beogradit drejt Moskës, Federata Ruse.

Pasi u mor informacion se J.K. më 11.10.2024 do të kthehej në RMV, u ndërmorën masa operative-taktike dhe, pas mbërritjes së tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, u zhvillua një bisedë me të. Në këtë bisedë, ai shpjegoi mënyrën se si kishte shkuar në Federatën Ruse, ku kishte qëndruar për një javë në përpjekje për t’u punësuar si ushtar në ushtrinë ruse.

Pas mbërritjes në Moskë, ai ishte vendosur së bashku me tre persona të tjerë shtetas të huaj dhe ishte informuar se duhet të dorëzonte pasaportën për të rregulluar dokumentacionin. Pas një kontrolli mjekësor, ai do të nënshkruante një kontratë pune në ushtrinë ruse dhe do të dërgohej në një kamp stërvitor për t’u trajnuar për luftime në Ukrainë.

Në koordinim me Prokurorin Publik nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nga i kallëzuari janë sekuestruar disa sende dhe dokumente mbi të cilat është kryer ekspertizë forenzike dhe analizë.

Mbi bazën e një urdhri të lëshuar nga Gjykatësi i procedurës paraprake, më 29.11.2024 është kryer bastisje në shtëpinë dhe hapësira të tjera të lidhura me personin J.K. I njëjti është arrestuar dhe nxjerrë para Gjykatësit të procedurës paraprake, i cili i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.