Kalın: Hagia Sofia do të jetë e hapur për të gjithë

Zëdhënësi presidencial i Turqisë, İbrahim Kalın, përsëriti se xhamia Hagia Sofia do të hapet për të gjithë dhe mozaikët e saj historikë do të ruhen ashtu sikurse për 500 vitet e fundit. Duke folur për CNN International, Kalın tha se mozaikët historikë “janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore”. “Ne jemi duke bërë disa rregullime për t’u siguruar që gjatë kohërave të namazit, ato të mbulohen por nuk do të preken” tha Kalın.

Ai theksoi se xhamia “absolutisht” do të jetë e hapur për të gjithë, besimtarët, jobesimtarët myslimanët të krishterët budistët dhe të gjithë do të jenë në gjendje t’i shohin mozaikët ashtu si më parë. Kalın tha se Turqia i fton të gjithë në xhami, përfshirë papën, i cili është shprehur i trishtuar për kthimin e Hagia Sofias në xhami. Pakicat fetare në Turqi kanë status të barabartë si të gjithë në vend, tha ai duke shtuar se reagimet për kthimin e Hagia Sofia bazohen në supozime dhe paragjykime të vjetra, pasi siç tha ai në Turqi ka liri fetare.