Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosoës me seli në Hagë po vazhdon ende, ndërsa kanë mbetur edhe shumë dëshmitarë për të dëshmuar kundër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në lidhje me këtë proces, ka folur Vehbi Kajtazi, analist i përhershëm në “Rubikon”.
Duke komentuar procesin special të Hagës, Kajtazi është treguar shumë kritik ndaj gjykim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Në analizën e tij, Kajtazi ka kërkuar që UÇK-ja, ndonëse e njëjta është shuar më 1999, të ketë një qëndrim ndaj Gjykatës Speciale. Sipas Kajtazit, UÇK-ja ish dashtë me pasë një qëndrim rreth dëshmive të eprorëve të UÇK-së.
“Unë kam problem me vetë UÇK-në se si po e trajton vetë UÇK-ja këtë proces. Pra kemi një strukje të këtyre njerëzvë që dikur kanë qenë në gjendje me dhanë jetën, sot nuk janë në gjendje me qenë pak më të zëshëm bre. Jo me bo budalllaqe qysh kanë bë OVL e UÇK-së, sepse ato kanë qenë budallaqe që u kanë shku në dëm atyre atje, por e drejta e secilit për me pasë një qëndrim dhe unë mendoj që UÇK-ja, qysh të thotë ne nuk e njohim këtë gjykatë, është deklaru gjithmonë. Ish dashtë me pasë një qëndrim edhe rreth dëshmive të eprorëve të UÇK-së që shkojnë atje” – tha Kajtazi.
Kajtazi ka hedhur dyshime mbi dëshmitë e ish-eprorëve të UÇK-së.
“Shumica prej tyre deri vonë kanë qenë si të dyshuar. Në fund marrin një letër se janë si dëshmitar” – tha ai.
Kajtazi foli edhe për rastin e Salih Mustafës, ish-komandant Calit, i cili u dënua me 22 vjet burgim nga shkalla e dytë në Gjykatën Speciale.
“Ne kemi pasur edhe një proces gjyqësor, që vlerësohet se është i padrejtë, në rastin e Calit. Aktgjykimi është bazuar edhe në dëshmitë të ushtarëve të UÇK-së, shokëve të tij të luftës, një pjesë e madhe” – ka shtuar Kajtazi.
Sjellim ndër mend që Cali është dënuar me 22 vite nga Apeli i Gjykatës Speciale. Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale e kishte ulur në 22 vjet burgim dënimin prej 26 vjetësh për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, duke e përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.
Vendimi për ulje të dënimit ishte bërë i ditur nga kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, të enjten, në sallën e gjyqit në Hagë ku i pranishëm ishte edhe Mustafa.
“(Paneli i Apelit)Anulon dënimin me 10 vjet burgim në lidhje me pikën 1 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 8 vjet burgim; anulon dënimin me 22 vjet burgim në lidhje me pikën 3 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 20 vjet burgim; anulon dënimin me 25 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 22 vjet burgim. Anulon dënimin e njësuar me 26 vjet burgim për zotin Mustafa dhe cakton një dënim të njësuar me 22 vjet burgim për zotin Mustafa, duke kaluar kohën e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryetarja e Apelit, Michele Picard, duke sqaruar se verdikti për fajësinë e tij për pikat 1, 3 dhe mbetet në fuqi porse vetëm është ulur dënimi.