“Kadareja e detyroi vajzën të abortojë” – Janulla Rrapi gruaja që pretendon se shkrimtari ia la të gjymtë djalin veç pse u dashuruan me vajzën e tij

Janulla Rrapi është gruaja që pretendon se shkrimtari, Ismail Kadare ia la të gjymtë djalin për shkak se siç thotë ajo “mëkatoi” duke dashuruar vajzën e të paprekshmit shkrimtar të madh të Realizmit Socialist që mbrohej direkt nga vetë diktatori Enver Hoxha. Për shkak këtij regjimi, tash e më shumë se 30 vite ajo dhe djali i saj Renato Rrapi jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por si u bë që ata u deshën ta lënë Shqipërinë për ta marrë rrugën për mërgim?

Akuzat e Janullës janë tejet të rënda. Ajo thotë se shkrimtari tashmë i ndjerë, Ismail Kadare kishte detyruar vajzën e tij Gresën ta abortojë në muajin e gjashtë, sepse nuk pranonte kurrsesi krushqi me Rrapët.

Historia e dashurisë së fëmijëve të familjeve Rrapi-Kadare u bë shumë e njohur në Tiranën e viteve 80.

Dhe ky nuk ishte rasti i parë që dy familje nuk binin dakord për dashurinë midis fëmijëve të tyre. Dallimet klasore apo racore kanë penguar shumë dashuri dhe shpesh këto kanë përfunduar edhe tragjikisht.

Si Ismail Kadare ashtu edhe gruaja e tij, Helena Kadare thuhet se nuk e pranonin kurrsesi për dhëndër Renato Rrapin.

Para 13 vitesh, në një intervistë, Janulla ishte pyetur se cili ishte qëndrimi i Helena Kadaresë për këtë dashuri.

I thonë një fjale popullore: “Më thuaj me kë rri, të të them se kush je”. Mua dhe motrën time, ajo na ka kërcënuar duke na thënë: “Po nuk hoqi dorë djali, nga vajza ime, ju do ta shihni se kush është Ismail Kadare”… Ajo nuk ishte e kënaqur për internimin tonë, por donte dhe ju lut ministrit të Brendshëm, Hekuran Isait të na burgosnin, mua dhe djalin. Hetuesia nuk e pranoi se nuk kishin se si ta justifikonin këtë burgim… Një nënë pa shpirt dhe intrigante kurdisi takimin tim me Ismailin në shtëpinë e saj, për të diskutuar se çdo të bënin me vajzën që ishte 6 muajsh shtatzënë. Dhe si përfundim atë fëmijë e ekzekutuan”, shprehej ajo.

Sipas Rrapit, jeta e tyre mori rrokullimën në momentin kur vajza e shkrimtarit mbeti shtatzënë, duke u detyruar të abortojë me dhunë në muajin e gjashtë. Historia ka ndodhur kur Renato Rrapi ishte në vitin e tretë në lice për violinë, dhe Gresa Kadare në vit të dytë, në gjimnazin “Sami Frashëri”.

Ajo shtonte se dhuna dhe gjymtimi i Sigurimit të Shtetit shqiptar që ishte ushtruar ndaj familjes Rrapi dhe djalit të saj Renato Rrapi ishte e dokumentuar, e njohur dhe e publikuar. Thoshte se dispononte të gjitha aktet e persekutimit, të njohura nga organet që shqyrtojnë çështjet e të persekutuarve në Shqipëri, por që djali i saj nuk ishte dëmshpërblyer.

Për të bëmat e pretenduara të Kadaresë ndaj Janulla Rrapit dhe djalit të saj, kjo e fundit në vitin 2016 i ishte drejtuar me një letër edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes kësaj letre po ashtu konfirmonte se gjithashtu i kishte shkruar edhe komisionit të Çmimit Nobël, ku prej vitesh shkrimtari Ismail Kadare priste për ta fituar.

Letra drejtuar Kryeministrit:

Mora kurajën për të të shkruar këtë letër të shkurtër, por me shumë dhimbje për një nënë si unë. Nuk është e nevojshme të përshkruaj historinë e birit tim Renato, pasi ju e njihni shumë mirë jetën e tij dhe rininë e tij të vrarë. Para një muaji Renato ishte në buzë të varrit, por falë kujdesit të mjekëve këtu në Nju-Jork dhe ndjeshmërisë së tyre që e kanë të përshkruar në kartelën e tij mjekësore historinë e sëmundjes e kaloi rrezikun e jetës edhe këtë herë, por është mjaft i dobët fizikisht dhe shpirtërisht.

Për vite me radhë kam kërkuar në Shqipëri të drejtat që na u mohuan: pas largimit tonë të menjëhershëm në vitin 1990 për të shpëtuar jetën e Renatos na u grabit shtëpia dhe me gjithë përpjekjet nëpër gjyqet shqiptare nuk na u kthye. U lodhëm e nuk e kërkuam më, pasi ishte e pamundur të vendosej drejtësia.

Vazhdova përpjekjet, në emër të Renatos të pafajshëm e të pamundur t’i jepej dëmshpërblimi material për internimin dhe trajtimin çnjerëzor në spitalin psikiatrik të Elbasanit, por përsëri “luftë” e kotë me drejtësinë dhe burokracinë shqiptare.

Ju ndjek me shumë interesim këto dy vjet që po drejtoni punët e mbrapshta që janë bërë për 25 vjet në Shqipëri dhe shpresoj shumë te Ju për t’u vënë drejtësia edhe te Renato i pafat.

Jam nënë e vojtur, por nëse shkaktari i fatkeqësisë së Renatos do të kishte kërkuar falje publike (edhe pas librit tim të thjeshtë “Djali i ëndrrës së vrarë”, ku përshkrova me shumë vërtetësi kalvarin e Renatos dhe të familjes sonë) do ta kisha falur, se falja është fisnikëri, dhe Renatos me siguri do t’i ishte dhënë dëmshpërblimi, pasi jo vetëm është në vështirësi ekonomike (me asistencën që i jep shteti amerikan), por diçka do të ndihej mirë edhe moralisht.

Ju uroj shëndet të mirë juve dhe familjes suaj, të dy djemve që t’i keni me jetë e me fat, si dhe vetëm suksese në detyrën shumë të rëndë që po mbani mbi supe!

Mbetem me shpresë se do të kem një përgjigje pozitive nga ju.

Me shumë respekt,

Janulla Rrapi

Theksojmë se shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare ka ndërruar jetë gjatës së djeshme (1 korrik 2024).