Ka punë aty ku nuk ka punëtorë!

Nga shkolla profesionale “Boro Petrushevski-ASUC”, profesori Adelon Ajdini, deklaron se shkollat profesionale japin mundësi të shumta të punësimit por edhe avancimin në kompani të ndryshme, pasi që punësimi është i garantuar.
Vjet nga Ministria e Arsimit informuan se në përgjithësi numri i nxënësve që janë regjistruar në shkollat profesionale është rritur për 6 për qind, gjë e cila dëshmon interesimin për drejtimet profesionale, por jo edhe përmbushjen e normës së kapacitetit.

Edhe pse shumica e nxënësve janë duke ndjekur shkollat e përgjithshme me konkretisht gjimnazet e mesme, këtë e dëshmojnë edhe statistikat zyrtare, ndërsa nga ana tjetër, drejtimet profesionale, me një fjalë zanatet, po kërkojnë kuadro të reja pasi sipas profesionistëve të këtyre lëndëve, numri po bie ndërsa tregu i punës i kërkon, pra ka punë, por nuk ka shumë punëtorë në këto drejtime. Po ashtu, në shumë kompani prej vitesh ankohen se nuk mund të gjejnë kuadër të duhur sidomos në drejtimet elektrotenkike dhe ndërtimtari, drejtime që tani më kanë filluar të kërkohen shumë.

“Arsimi i mesëm profesional është hallka kryesore e zinxhirit për aftësimin dhe përgatitjen e nxënësve për tregun e punës. Nxënësit pas kryerjes së shkollimit të mesëm profesional, mund të punësohen në kompani të ndryshme pasi që janë drejtime deficitare dhe që kërkohen mjaft shumë nga punëdhënësit. Gjithashtu, nxënësit kanë edhe lëndë: Mësimi përmes punës tek punëdhënësi ku një ditë gjatë javës secili nga nxënësit do e kalon tek ndonjë punëdhënës ashtu që të mund të ndërlidhim mësimin teorik me nevojat e punës në realitet tek punëdhënësi, që ndihmon mjaft shumë nxënësit ku dhe pas kryerjes së shkollimit munden të punësohen në kompanitë e njëjta. Andaj, është koha që nxënësit të orientohen në shkollat profesionale pasi që punësimi është i garantuar”, deklaron Ajdini.

Ndërkaq arsimtarja Brulinda Shingjergji-Kuçi, thekson se interesimi për shkollat profesionale është rritur dhe se kërkesa për tregun e punës është e kërkueshme.
“Sinqerisht interesimi për tu regjistruar në shkollat profesionale është rritur, edhe pse ne si kuadër i arsimtarëve bëjmë promovim për shkollën, për t’ju rrëfyer nxënësve mbi interesin, peshën por edhe rëndësinë e shkollave profesionale, mundësinë e karrierës pasi ata të përvetësojnë profesionin përkatës e kështu me radhë”, thotë Shingjergji-Kuçi. Ajo shton se tani më në shkollës profesionale “Mosha Pijade” në Tetovë është hapur edhe një drejtim i ri, ndërsa mundësitë që kanë ofruar drejtimet e makinerisë, elektroteknikës etj, kanë bërë që nxënësi e suksesshëm të integrohen edhe në punë praktike në fabrika të huaja.

Ditë më parë ministri i arsimit, Jeton Shaqiri informoi se tani më rreth 400 kompani kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të pranuar nxënës në praktikë për ta bërë arsimin profesional më atraktiv dhe cilësor. “Shkollat e mesme profesionale mund të jenë sërish zgjedhja e parë e nxënësve vetëm nëse në proces kemi një dialog social i cili do të bëhet mes kryetarëve të komunave, udhëheqësve të kompanive, drejtorëve të shkollave të cilët në mënyrën më të mirë duhet të intervenohet për të siguruar profesione të kërkuara në tregun e punës në të cilën mënyrë më të mirë mund të realizohet ajo”, thekson Shaqiri. Ndërsa sipas informacioneve zyrtare, vetëm në vitin shkollor 2021-2022, nga gjithsej 10.683 nxënës të regjistruar në arsimin e mesëm profesional, 1400 nxënës kanë zgjedhur arsimin e dyfishtë. Si drejtime më të kërkuara dhe e interes të veçantë janë: makineria, elektroteknika, teknologjia kimike, ekonomiko juridiko tregtar dhe pylltaria. (koha.mk)