Ka lindur foshnja e parë me antitrupa kundër COVID-19

Një grua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila ishte vaksinuar kundër COVID-19, ka lindur foshnjën me antitrupa.
Gruaja e cila ishte punonjëse në vijën e parë të kujdesit mjekësor u vaksinua me Moderna në janar, kur ishte 36 javëshe shtatzënë.

Gruaja nga Florida solli në jetë një vajzë tre javë më vonë. Ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa pas analizave të para u vu re se ajo kishte antitrupa.
Doktorët morën në analizë gjakun e foshnjës nga kordoni i kërthizës nga ku shikuan se foshnja kishte antitrupa, duke u bërë kështu foshnja e parë në botë e cila ka antitrupat e virusit SARS COV-2.

“Ekziston mundësia për mbrojtje dhe reduktim të rrezikut të infektimit nga COVID-19 nëpërmjet vaksinimit të nënave”, thuhet në njoftimin e mjekëve të publikuar në një gazetë shkencore, shkruan “The Guardian”.
“Për njohuritë tona, ky është rasti i parë në botë që u raportua për një fëmijë të lindur me antitrupa pas vaksinimit të nënës”, tha doktor Paul Gilbert.