Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq po qëndron në Bruksel me rastin e fillimit të skriningut shpjegues për grupin 3, gjegjësisht “Konkurrencë dhe rritje gjithëpërfshirëse”.
“Skriningu për këtë Grup fillon me takimin e sotëm shpjegues për Kapitullin 10, ‘Transformimi digjital dhe mediat’, në të cilin ekipi negociator nga Maqedonia e Veriut do të dëgjojë ekspertizën, rekomandimet dhe këshillat nga Komisioni Evropian në këtë fushë, të cilat do të udhëzojnë më tej në përgatitjet për skriningun dypalësh në këtë kapitull”, informojnë nga Sekretariati për Çështjet Europiane.
Deri në fund të kësaj jave do të mbahen edhe takimet për skrining për kapitujt 16,17,19,20,25,26 dhe 29, gjegjësisht kapitujt “Tatimi”, “Politika ekonomike dhe monetare”, “Politika sociale dhe punësimi”, “Ndërmarrje dhe politika industriale”, “Shkencë dhe hulumtim”, “Arsim dhe kulturë” dhe “Bashkimi Doganor”.
Deri më tani me sukses kanë përfunduar skriningjet shpjeguese për Grupin 1, “Themelet” dhe Grupin 2 “Tregu i brendshëm” që është edhe konstatim i Komisionit në Raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022, përderisa procesi i skriningut zhvillohet pandërprerë, ndërsa vendi tregon nivel të lartë të përkushtimit.
Maqedonia e Veriut në shtator filloi “skriningun”, proces nëpër të cilin kalon çdo vend që aspiron integrimin në BE. Pas 17 vjetësh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me Bashkimin Evropian me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.