Ka ardhur koha që dikush t’i thotë Donaldit “Të lutem, STOP!”

Këtë javë, mes shumë të tjerash, Donald Veshaj në Instagram u shpreh “Ka ardhur koha që të flas”. Meqë e tha këtë fjali si një sinjal se do të shprehet për të tjerët, ndoshta duhet të mendohet pak dhe fjalinë “ka ardhur koha” t’ia thotë vetes.

Pse? Sepse ka ardhur koha që ai t’i thotë “stop” vetes dhe vëllait të tij. Të dy janë djem fantastikë, por po e teprojnë me veprimet pas daljes nga shtëpia e Big Brother VIP. Një ditë Donaldi tha se do të ndërtojë 4 shtëpi, dy në Shqipëri dhe dy në Kosovë, me paratë e tij. “I kam 100 mijë euro”, tha ai, ndoshta duke kujtuar se shtëpitë kushtojnë si në vitin 2002.
Një ditë tjetër ai u shpreh se biletat e udhëtimeve të dhuruara nga Top Channel do t’i dhurojë për 14 shqiptarë rastësisht, për t’i falenderuar për dashurinë që i kanë falur gjatë rrugëtimit të tij në BBV.

Një ditë tjetër ai postoi veten me foto dhe video në një jetimore, duke ndihmuar, motivuar dhe luajtur me disa fëmijë pa prindër. Së fundmi, saktësisht dje, ai doli në video dhe foto bashkë me prindërit dhe vëllain e tij, duke pozuar pranë bustit të Adem Jasharit. U shfaq në momente solemne, në një ceremoni serioze, sikur ishte hero i Kosovës apo deputet i Parlamentit të Kosovës.

Urojmë që Donaldi të ketë shokë aq të mirë, sa të kuptojë se duhet t’i japë fund kësaj situate të pakuptimtë. Ai është një aktor humori, djalë i thjeshtë, inteligjent dhe me një jetë të bukur.
Ka një familje të mrekullueshme dhe e kanë zili shumica e djemve shqiptarë, sepse ka talent dhe bukuri. Duket qartë se i ka të gjitha, por ka ardhur koha të ndalet. Le të jetë një aktor humori, një njeri i televizionit dhe një djalë i lezetshëm vlonjat. Shumë bukur, por kaq. Ai nuk është as politikan, as hero kombëtar, as kryetar bashkie dhe as drejtues i ndonjë fondacioni bamirësie.