Jusufi e Kurti, flasin për autostradën Shkup – Bllacë dhe korridorin Prizren – Tetovë

Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi, e shoqëruar nga sekretari i tretë, Rexhep Limani, janë takuar dje me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendoje, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti.Gjatë këtij takimi Kurti foli për dy projektet që ndërlidhin zhvillimin e dy vendeve.

“Ai foli për punësimin dhe drejtësinë si prioritetet kyçe të qeverisjes tonë, dhe për dy projektet që kanë të bëjnë me ndërlidhjen zhvillimore të vendeve tona: autostradën Shkup-Bllacë, dhe korridorin Prizren-Tetovë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

“Ambasadorja, znj. Jusufi, konfirmoi mbështetjen dhe gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të bashkëpunuar në projekte që i kontribuojnë zhvillimit dhe progresit të dy shteteve tona”, thuhet tutje.Ambasadorja e uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e fundit në Kosovë, ndërsa Kurti e falënderoi për urimin dhe tha se shumë shpejtë do të formohet qeveria e re.