Ju ftoj të votoni partinë e LESH-it, PIS-ave dhe partinë e të Pavendosurve

Partitë politike shqiptare në Maqedoni, po mbijnë si këpurdhat pas shiut dhe se padyshim do të ndodhë parcializimi i votës shqiptare.

Nëse i përfshijmë partitë e reja që janë në proces të themelimit, po bëhen gjithsejt 9 parti shqiptare.

Kjo, pa i llogaritur edhe tri partitë e rrjeteve sociale, që po pasqyrojnë gjendjen e mjerueshme dhe organizimin politik skandaloz të shqiptarëve në Maqedoni, partinë e të “Pavendosurve”, partinë e “LESH”-it dhe partinë “PIS”-at.

Kur i sheh nga emrat dhe llogot e tyre, të gjitha janë “demokratike”, të gjitha synojnë “integrimin” e vendit në BE, të gjitha duan “avansimin” e cështjes shqiptare në Maqedoni.

Të paktën kjo është e shprehur deklarativisht në programet e tyre, sepse në të vërtetë, interesat personale dhe klanore të këtyre politikanëve janë në rradhë të parë.

Tenderat i përbashkojnë të gjitha partitë shqiptare, por edhe ato maqedonase, e për qytetarët është e siguruar varfëria, skamja dhe pastaj migrimi.

Këto parti politike paradite janë të majta dhe me deklarata premtojnë paketat e ndihmave sociale, pasdite janë të djathta dhe ju premtojnë liberalizim të tregut, konkurrencë të pastër dhe të ndershme, e të gjitha liritë themelore, ndërsa në mbrëmje janë parti të qendrës, duke marrë më të mirën nga e majta dhe e djathta.

Më e keqja është se të gjitha këto në fund do përfundojnë para dyerve të selive të VMRO-së dhe LSDM-së.

Prandaj, Ju ftoj që ta votoni partinë e “Leshit”, “Pisave” dhe partitë e të “Pavendosurve”.

Kjo sepse në fund të fundit lesh do merrni të gjithë, të gjithë do të përballeni me pisat e politikës dhe një pjesë e madhe e qytetarëve edhe për një kohë do mbeten të pa vendosur.