Jo më 20, treni Shkup-Veles tani do të lëvizë me shpejtësi maksimale prej 50 km/h

Në vend të 20 kilometrave në orë, sa ishte shpejtësia maksimale e lejuar për trenat në hekurudhën Veles-Shkup, trenat në këtë pjesë tash e tutje do të lëvizin me një shpejtësi “të pabesueshme” 50 kilometra në orë.

Siç njoftojnë nga NP Infrastruktura, një ndryshim i tillë vjen për shkak se ka përfunduar sanimi i hekurudhës.

Në periudhën e kaluar, është punuar në ndërrimin e traversave dhe shinave prej druri në pjesën ndërmjet stacioneve Rajko Zhinzifov dhe Veles. Ndërrimi ka përfunduar dhe shpejtësia është rritur nga 20 km/h në 50 km/h, njofton NP Infrastruktura.