Jeton Shaqiri tregon se kur do të pajisen nxënësit me libra

Gjatë tetorit ose fillimit të nëntorit do të jenë gati tekstet shkollore, paralajmëroi sot ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Ministri, theksoi se sa më shpejtë të jetë e mundur do të fillojë botimi i teksteve shkollore për ato që janë miratuar nga Këshilli nacional.

“Disa tekste shkollore në një seancë tjetër do të miratohen nga Këshilli nacional. Po shoh energji pozitive në këtë. Dhe prandaj unë, do të them, jemi duke u përgatitur dhe Këshillin që e paralajmërova ku përfshihen shumë institucione është për t’i lidhur institucionet, t’i kemi të dhënat, ta dimë se si mund ta zgjidhim këtë problem i cili është shumëvjeçar”, tha Shaqiri pas hapjes së tryezës së rrumbullaktë “Harmonizimi i programeve studimore në arsimin e lartë me nevojat e tregut të punës”, në organizim të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Duke iu përgjigjur pyetjes ë gazetarëve, Shaqiri potencoi që procesi arsimor të mos ketë mungesë i kanë dorëzuar materialet përgatitore për klasën e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë.

“Sa i takon mungesës që është edhe nga periudha e kaluar, nuk është vetëm nga ky tetë mujorsh, është mungesë më e gjatë. Sipas të gjitha mjeteve buxhetore që i kemi në dispozicion ka përfunduar edhe procedura për operatorin ekonomik”, tha Shaqiri.