Jeton Shaqiri: “Jemi të vendosur t’i çojmë deri në fund reformat kundër nepotizmit, kronizmit dhe klientizmit”

Ministria për shoqëri informatike dhe administratë po punon paralelisht në shumë fusha përsa i përket reformës në administratën shtetërore dhe rezultatet do të shihen së shpejti.

“Sot zhvillova një takim pune në hapësirat e Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, me kryetaren e këtij komisioni, znj. Biljana Ivanoska dhe zv. Kryeministrin e Qeverisë, z. Ljupço Nikollovski.

Qëllimi i takimit të sotëm ishte që t’i prezantoj këtij komisioni ndryshimet dhe ligjet e reja për strukturat e larta udhëheqëse, për punonjësit në sektorin publik dhe ligji për nëpunësit administrativ, në funksion të përmbushjes të rekomandimeve të projektit “Vlerësimi i cënushmërisë ndaj korrupsionit në politikat dhe procedurat e punësimit, me një fokus të veçantë ndaj nepotizmit, kronizmit dhe klientelizmit”, thekson Shaqiri.

Këto ligje ndikojnë drejtpërdrejtë në depolitizimin e plotë të administratës shtetërore dhe vendos themelet e vlerave dhe meritokracisë për të arritur deri tek vendi i punës apo avancimi. Jemi të vendosur t’i çojmë deri në fund këto reforma.