Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri ka njoftuar se:
Është arritur marrëveshja me SASHK – greva ndërpritet, ndërsa nxënësit kthehen në mësime nëpër shkolla.
Me kryesinë e sindikatës ramë dakord për tri gjëra të rëndësishme:
1. Rritja e pagave në arsim me 12%, e cila do të nisë me pagesën e pagës së korrikut.
2. Së bashku do të përcaktojmë një metodologji për rritjen e pagave, e cila do të zbatohet nga viti i ardhshëm.
3. Pagesa e regresit të pushimit vjetor për punonjësit e arsimit do të bëhet nga viti 2023, pas nënshkrimit paraprak të marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik.
Dialogu social në të cilin kam besuar që në fillim dhe për të cilin vazhdimisht kam theksuar se ky është mekanizmi më i mirë për tejkalimin e sfidave, dha efektin e pritur.
Faleminderit të gjithëve që morën pjesë në bisedime.
Ju siguroj se Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria mbeten fuqishëm të përkushtuara për përmirësimin e statusit social dhe material të punonjësve në arsim. Veçanërisht do të intensifikojmë kujdesin për kthimin e dinjitetit të veprimtarisë arsimore, sepse mësuesit janë partneri ynë më i rëndësishëm në krijimin dhe zbatimin e ndryshimeve për një sistem arsimor më të mirë, që është synimi ynë strategjik dhe përcaktimi ynë kryesor në programin e punës.