Jeta e dyfishtë e shqiptarit që u vra: Veç gruas që u përfshi në atentatin mafioz, familja tjetër e priste në Shqipëri

Një atentat mafioz mbrëmjen e së enjtes në Greqi i mori jetën shqiptarit Roan Brahimi, 32-vjeçar, teksa ndodhej në automjet bashkë me gruan e tij.

Kjo e fundit u shpëtoi mrekullisht plumbave, ndërsa raportohet se ajo nuk ishte partnerja e vetme e Brahimit. Veç saj dhe djalit të tyre në Greqi, ai kishte një bashkëshorte dhe dy fëmijë të tjerë në Shqipëri.

Prej dy vitesh Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët.

Atentati ndaj mikut të tij të dikurshëm Ylli Brakimi në Milot, ku mbeti i vdekur Klisman Peçi e largoi atë nga Shqipëria duke u strehuar në Emiratet e Bashkuara.

Por, kundërshtarët e gjetën mbrëmjen e së enjtes në një lagje në Athinë ku kishte shkuar për të festuar Pashkën dhe dy persona me motor i janë afruar dhe e kanë qëlluar për vdekje.

Deri më tani pistat e hetimit janë fokusuar në hakmarrje, pasi 32-vjeçari që njihej edhe me emrin Sidorel Prendi ka precedent të rrezikshëm kriminal në Shqipëri.

Përplasjet e armatosura datojnë që në 2014 kur në një atentat vriten 2 kushërinjtë e tij Klodian Ndreca e Taulant Prendi dhe u plagos Aurel Prendi.

Në 2020 në lokalin e babait të tij persona të pa identifikuar qëlluan me breshëri por pa lënduar askënd.

Brahimi gjithashtu ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare që në vitin 2021, pasi dyshohej se bashkë me Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi hynë të armatosur në një lokal në Zejmen të Lezhës terrorizuan klientët dhe kërkuan pronarin.

Edhe pse policia nuk e ka dokumentuar, Roan Brahimi njihet si kundërshtari i Ervis Martinit i zhdukur prej 2022, ku informacionet flasin për një sherr fizik mes tyre.

Nisur nga këto informacione, Roan Brahimi ka qenë i dyshuar për vrasjen e Brilant Martinit dhe dy të tjerëve më 17 korrik 2022 si edhe për ngjarjen e 5 ditëve më vonë ku u tentua të eliminohej miku i tij i dikurshëm Ylli Brahimi por u vra Klisman Preçi.

Atentati ndodhi kur të dy po ktheheshin në shtëpi me makinë të blinduar. Në të shkuarën e errët të Roan Brahimit policitë e të dy vendeve do të përpiqen të gjejnë dhe dokumentojnë emrin e autorit apo porositësit të vrasjes, raporton TCH.