Jepet alarmi: Jeta e shqiptarëve që gjenden në Siri është në rrezik, kjo mund të jetë rruga e kthimit


Më shumë se 500 sirianë, disa prej të cilëve dyshohet se kanë lidhje me militantët e grupit të Shtetit Islamik, u larguan të hënën nga kampi i mbipopulluar Al-Hol, kanë njoftuar zyrtarë kurdë. Ky kamp që menaxhohet nga kurdët, është në verilindje të vendit, tashmë të shkatërruar nga lufta.

Drejtori e Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi tha për Euronews Albania se i ka përcjellë autoriteteve shqiptare kontaktin e një koloneli kurd që ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në kthimin e shqiptarëve të mbetur ende në kamp, dhe kjo sipas tij përmes një rruge shumë më të thjeshtë se ajo e ndjekur deri tani nga autoritetet shqiptare.

Sa më shumë të zbrazet kampi, aq më vështirë bëhet jeta atje, ndaj autoritetet shqiptare duhet të veprojnë më shpejt në riatdhesimin e shqiptarëve nga kampi. Kampet kontrollohen nga kryengritja kurde.

Sipas këtij personi, që ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar ekziston mundësia që fëmijët të ndihmohen deri në kufirin mes Sirisë dhe Irakut, më tej nga Iraku do të përcillen deri në aeroportin e Irbilit, që ka aeroportin ndërkombëtar dhe që aty mund të realizohen fluturime ndërkombëtare. Bëhet fjalë për 140 km rrugë dhe është kontrolluar nga autoritetet kurde, dhe organizma ndërkombëtare”, shpjegoi Elezi.

Në kampin e Al-Hol dhe kampe të tjera të Sirisë, vazhdojnë të qëndrojnë një numër i madh shqiptarësh nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ditë më parë u bë e mundur rikthimi në Shqipëri i një gruaje dhe katër fëmijëve nga kampi al-Hol i Sirisë, ku kanë qëndruar për rreth dy vjet.