Jennifer Lopez dhe Ben Affleck po ndahen pas dy vitesh martese

Yjet e Hollivudit Jennifer Lopez dhe Ben Affleck po ndahen pas dy vitesh martese. Lopez dje ka dorëzuar kërkesën për divorc në Gjykatën e Lartë të Qarkut Los Angeles, dhe sipas dokumenteve gjyqësore që i ka parë „BBC“, ka caktuar 26 prillin si datën e ndarjes së tyre.

Çifti – të cilët nga tabloidet u quajtën „Bennifer“ – u martuan formalisht në Las Vegas në korrik 2022 dhe mbajtën një ceremoni më të madhe martese në Georgia muajin tjetër. Romanca e tyre ka filluar pasi u njoftuan gjatë xhirimeve të filmit kriminal „Gigli“ në 2003. Fillimisht planifikuan të martoheshin atë vit, por e ndërprenë lidhjen në fillim të vitit 2004. Pothuajse dy dekada më vonë, e rinovuan lidhjen.

„Dashuria është e bukur. Dashuria është e butë. Dhe duket se dashuria është e durueshme. Njëzet vjet durim,“ tha Lopez në 2022, kur njoftoi martesen e tyre në Las Vegas.

Mediat raportuan se Lopez, e cila ligjërisht ka ndryshuar mbiemrin e saj në Affleck, nuk ka përmendur asnjë detaj në lidhje me kontratën para-martesore në kërkesën e saj për divorc. Prej muajsh ka pasur spekulime për lidhjen e tyre. Ata, thuhet se kanë vendosur shtëpinë e tyre në Beverly Hills për shitje për 65 milion dollarë dhe janë fotografuar pa unazat e martesës.

Affleck, fitues i dyfishtë i çmimit Oscar, ka qenë më parë i martuar me aktoren Jennifer Garner, të cilën e ka njohur gjatë xhirimeve të romanit „Pearl Harbor“ në 2001, dhe u ndanë në 2015 pas një dekade martese dhe kanë tre fëmijë së bashku.

Lopez ka qenë e martuar katër herë, së pari me kamarierin e lindur në Kubë Ojani Noa nga 1997-1998; pastaj me ish-dançerin e saj Chris Judd nga 2001-03; dhe me këngëtarin Marc Anthony, me të cilin ka binjakë, nga 2004-14. Këngëtarja dhe aktorja, e njohur si J-Lo, ka qenë gjithashtu e lidhur me yllin e New York Yankees, Alex Rodriguez.