“Jeni Xhamia” në Manastir u shndërrua në muze të krishterimit dhe islamit, vendimi nga 2014

“Jeni Xhamia” në Manastir mbrëmë është hapur si një në muze i krishterizmit dhe islamit.

Xhamia daton në shekullin e 16-të. Më vonë autoritetet e Maqedonisë nga periudha e vitit 2011 kishin nisur gërmime brenda saj, ku më pas u tha se në themelet e saj ndodhet ish-katedralja dhe kisha më e madhe në Manastir “Shën Gjergji” dhe një nekropol i krishterë.

Viteve të fundit me paratë e Ministrisë së Kulturës u restaurua pjesa e jashtme e objektit, hajati dhe dyshemeja.

Vendimi që kjo xhami të kthehej në Muze ishte vendosur në periudhën e vitit 2014 në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE dhe BDI me në krye Nikolla Gruevskin.

Zoran Altiparmakovski, konservues i lartë nga Muzeu i Manastirit në vitin 2014 kishte theksuar për Dnevnik se “Projekti konservues i mbështetur nga Ministria e kulturës, vazhdon me punë pasi qëllimi ynë është që ‘Jeni Xhamia’ të prezentohet si lokalitet arekologjik dhe si galeri, funksion të cilin e ka pasur edhe më parë.”

Nga Enti dhe Muzeu atëbotë informuan se qëllimi kryesor i këtij projekti të mbështetur nga Ministria e Kulturës ishte që “Jeni Xhamia” në Manastir t’i ngjajë “Aja Sofies” në Stamboll, e cila në pamjen e jashtme është xhami, kurse brenda ka të vendosura ikona krishtere.

Por, mbrëmë kur u bë hapja e kësaj xhamie në formë të një galerie, reaguan nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut me një reagim drejtuar kryeministrit Mickoski dhe zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, por edhe institucioneve tjera dhe përfaqësive diplomatike.

“Me shqetësim të thellë morëm vesh që xhamia e Manastirit është shndërruar në “Muze të trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame”. E konsiderojmë të papranueshme që të mos konsultohet Bashkësia Fetare Islame për një projekt të tillë, as të kërkohet pëlqimi ynë për realizimin e tij. Në interes të të gjitha palëve të përfshira, dëshirojmë të shprehim mospajtimin tonë të thellë me këtë ide, duke pasur parasysh edhe Ligjin për Dekomunizimin e vitit 1990, i miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Bashkësia Fetare Islame ka kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të pandërprerë rikthimin e Xhamisë Jeni dhe përdorimin e saj nga besimtarët myslimanë të Manastirit si një vend adhurimi. Shteti, konkretisht Ministria e Kulturës dhe institucionet kulturore të Maqedonisë së Veriut, kurrë nuk e kanë përmbushur këtë kërkesë legjitime të Bashkësisë Fetare Islame dhe për shumë vite e kanë mbajtur këtë xhami të mbyllur, duke e përdorur si “Galerinë e Arteve”. Tani, pa miratimin e Bashkësisë Fetare Islame, Enti Kombëtar dhe Muzeu i Manastirit po e transformojnë Xhaminë Jeni në “Muze të trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame””, thuhet në reagim.

Përpos këtij reagimi ka pasuar edhe ai nga BDI, pikërisht nga kjo parti që ishte në pushtet në periudhën kur u soll vendimi. (INA)