“Jemi me Greqinë”, Gjermania paralajmëron Turqinë

Gjermania i bëri thirrje urgjente Greqisë dhe Turqisë të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre mbi pretendimet për të drejtën për të shfrytëzuar burimet natyrore në ujërat e Mesdheut lindor, duke paralajmëruar rrezikun e një konfrontimi ushtarak.

“Mesazhi i parë është se Gjermania dhe i gjithë Bashkimi Evropian është në solidaritet të fortë me Greqinë. Mesazhi i dytë po ashtu i rëndësishëm është se na duhen urgjentisht shenja të uljes së tensioneve dhe gatishmëri për dialog. Situata aktuale në Mesdheun lindor është bërë shumë e rrezikshme dhe incidenti më i vogël mund të çojë në një katastrofë e cila nuk mund të jetë në interes të askujt, veçanërisht një konfrontim ushtarak midis partnerëve të NATO-s dhe fqinjëve. Një zgjidhje detyruese dhe paqësore e mosmarrëveshjes përfundimisht do të arrihet vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta midis Greqisë dhe Turqisë”, tha Heiko Mass, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Gjermania mban presidencën e radhës të BE-së dhe ministri gjerman, pas ndalesës në Athinë, do të udhëtojë edhe drejt Ankarasë.

Ndërsa gjatë javës pritet edhe një takim mes ministrave të jashtëm të BE-së, të cilët do të diskutojnë për tensionet në Mesdheun Lindor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian deri më tani e kanë mbështetur Greqinë, por vendet e BE-së duket se kanë qëndrime të ndryshme për një kërkesë të Athinës për të vendosur sanksione ndaj Turqisë.

Një ditë më parë, Presidenti i Turqisë Erdogan akuzoi Greqinë se po “rrezikon sigurinë lundruese të të gjitha anijeve në rajon” dhe paralajmëroi se qëndrimi i saj ndaj ligjit ndërkombëtar e kishte shtyrë Greqinë “në një kaos nga i cili nuk mund të largohet lehtë”.