“Javna Soba”, Platforma për Barazi Gjinore akuzon MPB-në për mosveprim

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka nepotizëm, korrupsion dhe fshehje të lëshimeve të bëra nga punonjësit e policisë gjatë rasteve të raportuara për ushtrim dhunë ndaj femrave. Këto ishin vetëm disa nga akuzat e bëra nga Platforma për Barazi Gjinore ndaj dikasterit të punëve të Brendshme. Bojana Jovanovska, nga kjo Platformë, tha se i japin afat deri më 8 mars që të bëjë ndryshim të politikës së brendshme për sanksionim të atyre pjesëtarëve të policisë që nuk kanë vepruar në bazë të paraqitjes së rasteve për ushtrim dhunë.

Presim padi penale nga MPB kundër autorëve të “ Javna Soba” për veprat: keqpërdorim të të dhënave personale ndërmjetësim në prostitucion, rrezikim i sigurisë dhe shpërndarje e materialit ksenofobik dhe racist përmes pajisjeve elektronike. Presim fillim të procesit për pastrim të policisë, nga pjesëtarë që kanë ushtruar dhunë ndaj femrave si dhe sanksionim të tyre – tha Bojana Jovanovska, Platforma për Barazi Gjinore.

Gjithashtu kërkojnë që sa më shpejt të nisë punën organi Ombudsman Plus si një mekanizëm efikas, efektiv dhe i pavarur për kontrollin civil mbi policinë. Femrat nuk kanë besim tek policia, thonë nga Platforma për Barazi Gjinore, për shkak se disa pjesëtarë të policisë relativizojnë rastet e paraqitura prej tyre dhe nuk tregojnë vullnet për sanksionimin e autorëve.

Madje edhe ligjet më të mira në këtë sferë nuk do të kenë efekt për sa kohë që policia vazhdon të ketë qasje joprofesionale, të bazuar në pikëpamje personale dhe arbitrare të bazuara në stereotipe dhe paragjykime – u shpreh Bojana Jovanovska, Platforma për Barazi Gjinore.

Platforma e Barazisë Gjinore thotë se policia shpesh nuk vepron, relativizon përvojat e viktimave viktimave dhe ka raste kur zbaton sanksione për kundërvatje dhe paralajmërime ndaj autorëve ,në vend të akuzave penale të dokumentuara dhe të vërtetuara, ndalim për afrim dhe kontakt të autorëve me viktimat. Kjo qasje, sipas tyre, shpesh rezulton në dhunë të vazhdueshme, të intensifikuar, shpesh me pasoja të rënda për shëndetin e viktimave dhe, në shumë raste, me vde*kje./Evi Shkopi