Javën e ardhshme do të ketë vendim të ri për masat kufizuese

Ora policore prej mbrëmë fillon në mesnatë dhe përfundon në ora 04:00 të mëngjesit, me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive për lehtësimin e masave kufizuese.
Lehtësimi i masave vjen pas uljes së numrit të infektimeve dhe hospitalizimeve për shkak të coronavirusit në periudhën e fundit dhe uljes së presionit në kapacitetet spitalore.

Masat e reja, që Qeveria e RMV-së i miratoi të martën, do të vlejnë deri më 18 maj.
Nga e marta objektet hotelerike punojnë deri në ora 23:30, ndërsa me punë kanë filluar edhe klubet e fitnesit, qendrat sportive, sallat për ushtrime, por me respektim të protokolleve për mbrojtje.
Ngjarjet sportive edhe më tej do të vazhdojnë të mbahen pa prezencë të publikut.

Sipas masave të reja, tani edhe punonjësve shëndetësor ju lejohet të shfrytëzojnë pushimin vjetor, por kjo do të bëhet në pajtim me planin për udhëheqjen e spitalit, për të mos u prishur rrjedha normale e funksionimit.
Pas 18 majit, pritet që Qeveria të lehtësojë masat kufizuese, nëse vazhdon trendi i uljes së infektimeve me COVID-19.