Jakov Millatoviq, presidenti i ri i Malit të Zi

42
Kandidati për president të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka fituar rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kurse kundërkandidati i tij, presidenti aktual, Millo Gjukanoviq, ka marrë rreth 39.8 për qind, treguan rezultatet preliminare të 90 për qind votave të numëruara, sipas parashikimeve të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI). Sipas të dhënave të CEMI, 71 për qind e votuesve votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi. Në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kanë votuar rreth 383.3 mijë votues ose 70.7 për qind.

Jakov Millatoviq, është kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar. 37-vjeçari ka hyrë në politikë që më pak se tre vjet. Ai ka thënë se dëshiron që Mali i Zi të anëtarësohet në BE, megjithëse disa nga partitë që e kanë mbështetur kandidaturën e tij janë pro-ruse.
Përkrahësit e Millatoviqit janë mbledhur para ambienteve të partisë, duke festuar fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale. Ndërsa, Gjukanoviq është udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i Malit të Zi. 61-vjeçari ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.

Ai ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus. Ai ka këmbëngulur se kjo betejë nuk ka përfunduar pavarësisht anëtarësimit të Malit të Zi në NATO shkaku i politikave të supozuara ekspansioniste të Serbisë dhe ndikimit të Rusisë. Të drejtën për të votuar për njërin prej tyre kishin 542.154 qytetarë. Më së shumti votues ka në Podgoricë, gjithsej 143.609, ndërsa më së paku ka në qytetin në veri të vendit, në Shavnik, ku janë të regjistruar vetëm 1.777 votues. Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga ripërtëritja e pavarësisë së Malit të Zi dhe të shtatat që nga futja e sistemit shumë-partiak. Rregullsia e procesit zgjedhor do të monitorohet nga misionet vëzhguese të ODIHR-it, deputetët evropian dhe Këshilli i Evropës, si dhe nga organizatat joqeveritare Qendra për Monitorim dhe Qendra për Tranzicionin Demokratik./REL