Jablanoviq kundër pro*testave të serbëve në Mitrovicë dhe Graçanicë: “Për çfarë po pro*testojnë?”

Ish-ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë Mustafa, kryetari aktual i Partisë Serbe të Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, ka kritikuar organizimin e protestave të sotme në Graçanicë dhe Mitrovicë, duke vlerësuar se Lista Serbe e cila është pjesë e Qeverisë së Kosovës, është më përgjegjësja për dështimin e arritjes së marrëveshjes me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti lidhur me organizimin votimit në zgjedhjet serbe.

“Protesta kundër kujt dhe për çfarë? Tani qytetarët me prezencën e tyre duhet të mbrojnë paaftësinë e Listës Serbe, e cila nuk ka arrijë marrëveshje me kryeministrin e tyre Albin Kurti që t’u lejojë zgjedhjet serbe. Lista Serbe është partnere e Albin Kurtit. Ata për herë të pestë po përgatiten të ngrijnë pozitat dhe asnjëherë nuk kanë arritur asgjë për serbët në Kosovë”, tha Jabllanoviq në një deklaratë për RTV Kim.
Ai ka theksuar se Lista Serbe nuk ka të drejtë të largohet nga institucionet për shkak se(përfaqësuesit e saj) nuk po mund të bëjnë marrëveshje politike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nëse duan në njëfarë mënyre të shprehin pakënaqësinë e tyre me këto institucione, pagat e tyre të cilat i marrin e që janë shumë të larta dhe kanë dy rroga, duhet t’ua dhurojnë disa organizatave humanitare serbe në Kosovë dhe të qëndrojnë në institucione për të luftuar për serbët”, tha Jablanoviq, transmeton Telegrafi.
Ai shprehu frikën se serbët nga Kosova do të detyrohen të shkojnë me autobusë në mënyrë të organizuar për “votim të kontrolluar” në qytetet e Serbisë qendrore.

Kryeministri Isa Mustafa, në vitin 2015 e kishte shkruar Jabllanoviqin nga posti I ministrit për Kthim dhe Komunitete.
Hkarkimi i Jabllanoviqit erdhi pasi ai i kishte quajtur “egërsira” nënat gjakovare që nuk lejuan pelegrinët serbë të vizitonin kishën e këtij qyteti më 7 janar 2015.

Serbët e Kosovës kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë afër Prishtinës, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë protestës së serbëve në Mitrovicë të Veriut nuk ka pasur fjalime, ndërsa njoftimin për pezullimin e punës në insititucionet e Kosovës Rakiq e tha për mediat, pas protestës.

Ndërkohë, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha në Graçanicë se mesazhi kryesor i protestës ishte “të ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve”. /Telegrafi/