Ja ushqimet që duhet të hani për të kaluar traumën e tërmetit, flet nutricionistja


Ankth, frikë, panik…

Ndjesi të tilla vijojnë të shoqërojnë shumë prej nesh ndërsa i kthehemi normalitetit pas fatkeqësisë natyrore që goditi vendin.

Që të kaloni sa më lehtë tronditjen psikologjike, mjekja nutricioniste Albana Daka sugjeron të bëni kujdes me mënyren e të ushqyerit. Ato ndikojnë në gjendjen psikologjike dhe humorin tonë.

“Ne kemi disa neurotransmetues në organizëm, të cilët ruajnë gjendjen e komoditetit psikologjik. Në krye është serotonina, e ndihmuar nga dopamina, dhe endorfinat e tjera. Serotonina është një neurotransmetues, që 95 % të sasisë së vet, prodhohet në zorrë. Që ne të kemi një serotoninë në sasi optimale, duhet që aminoacidet që formojnë serotoninën, ose substancat që nxisin prodhimin e serotoninës të marra nga ushqimet, të jenë në sasi të mjaftueshme”, thotë Daka.

Por cilat janë disa nga ushqimet që na ndihmojnë kur jemi të stresuar?

“Janë ushqime që përmbajnë sasi të larta triptofani, që janë si ushqime shtazore, ashtu edhe bimore. Prandaj ne themi, që në këtë kohë, të marrim sasi të proteinave të mira shtazore, sic janë peshku, peshqit me yndyrë, kryesisht mishi i bardhë, bulmetrat. Tek fëmijët apo moshat e treta, rekomandojmë që përpara gjumit, apo vaktit të darkës, të merret një gotë qumësht, pasi është shumë e pasur me triptofan, dhe bën që të rritet serotonina në sasi të konsiderueshme, dhe të kemi një gjumë të qetë. Ushqime të tjera, janë veza, produktet shtazore, çokollata fondente apo kakaoja, pasi kanë nivele të larta të grupit të vitaminave B e të magnezit, të cilat rrisin prodhimin e serotoninës. Gjithashtu edhe konsumi i moderuar i kafes, duke mos kaluar konsumimin e 3 ose 4 kafe në ditë, për moshat e mesme dhe ato të treta. Japin efekte shumë të mira të serotoninës, të gjithë llojet e jeshillëqeve, të gjithë llojet e frutave të pyllit”, tha ajo.

Ndërsa ushqimet e shpejta, por jo vetëm, sipas mjekes nutricioniste Albana Daka janë ato që duhen shmangur.

“Duhet të jemi larg ushqimeve të ëmbla, me sheqerna të procesuara, dhe ushqimeve të rrugës. Të gjitha këto ushqime, do të agravojnë si gjendjen tonë psikologjike , do të ulin procesin e tretjes dhe duke ulur procesin e tretjes, do të ulet edhe prodhimi i serotoninës”, këshillon nutricionistja Daka.

Një sugjerim doktoresha ka dhe për stafin e hoteleve ku përkohësisht janë sistemuar personat e mbetur pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Edhe restorantet, nuk duhet të fokusohen, tek ushqimet e shpejta, siç mund të jenë patate të skuqura, apo të tjera ushqime të shpejta, pasi këto ndikojnë shumë keq në shëndetin e fëmijëve, të moshës së tretë, por edhe të të gjithë të tjerëve. Kështu që vaktet e thjeshta, gjellërat e thjeshta që ne kemi, duke i integruar proteina shtazore, peshkun apo pulën, duke pasur gjithmonë vakte të ndërmjetme, frutat e stinës të pasura me antioksidantë, janë ushqimi më i mirë. Padyshim që kemi nevojë për drithëra, por nuk janë të nevojshme vaktet me makarona apo oriz”, thekson ajo.

Qeveria do t’i paguajë këtyre hoteleve 20 mijë lekë për çdo person që i siguron ushqimin dhe fjetjen.