Ja si është situata në veri të Kosovës

Situata e përgjithshme gjatë ditës së sotme në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak është e qetë dhe pa ndonjë in*cident.
Rrugët vazhdojnë të mbeten të bllokuara dhe nuk ka qarkullim të automjeteve, ndërsa qytetarët mund të kalojnë kufirin këmbë.
Në Jarinje kolona e kamionëve dhe automjeteve tjera arrin rreth pesë kilometra, ndërsa në Bërnjak kjo distancë është më e vogël.

Forcat e Policisë së Kosovës janë të pozicionuara nëpër punkte përgjatë kufirit dhe po mbajnë situatën nën kontroll.
Qindra qytetarë serbë, të punësuar kryesisht nëpër institucione paralele, sikur janë të detyruar të dalin nga ora 8:00 deri në 16:00 dhe të qëndrojnë në rrugë.

Përkundër përpjekjeve të ekipit të KosovaPress-it, qytetarët serbë nuk kanë pranuar të flasin, madje as kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, i cili ishte prezent aty pothuajse gjatë tërë kohës.
Askush nuk e di deri kur do të zgjasë një situatë e tillë në këto zona, ndërsa prapa kamerës disa qytetarë thanë se janë në pritje të urdhrave nga Beogradi rreth veprimeve të mëtutjeshme.