Ja sa raste të reja me COVID-19 në Maqedoni

24 pacientë të shëruar nga COVID-19 janë regjistruar në 24 orët e fundit, të njëjtët tani janë në mjekim shtëpiak. Prej tyre 5 janë nga Koçani, 4 nga Shkupi, 4 nga Dibra, 3 nga Shtipi, 3 nga Prilepi, 3 nga Tetova, 1 nga Kumanova dhe 1 nga Strumica.

Janë konfirmuar edhe 7 raste të reja të të prekurve me koronavirus, që sipas qyteteve 3 janë nga Tetova, 2 nga Kumanova dhe 2 nga Koçani. Me këtë numri total i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut arrin në 1231 persona.

Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se një pacient i moshës 70 vjeçare ka ndërruar jetë në spitalin “8 shtatori”. Në gjendje të rëndë i njëjti ishte pranuar në spital në datë 8 prill dhe menjëherë ishte vendosur në aparat respirator.

Në 24 orët e fundit siç shkruhet në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer 207 teste për COVID-19. 201 nga Instituti i Shëndetit Publik, 6 nga “Filipi i Dytë” dhe asnjë test nga Fakulteti i Veterinarisë, Avicena, Biotek apo Sistina. Deri më tani në vend gjithsej janë bërë 12,340 teste për koronavirus.

Në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të shtruar 60 pacientë. 18 prej tyre mbahen me mbështetje të oksigjenit ndërsa 4 me ventilim mekanik. Në Spitalin “8 shtatori” të hospitalizuar janë 45 pacientë. 7 janë në gjendje më të vështirë klinike, ndërsa 5 të vendosur në aparat respirator. Në Manastir janë të hospitalizuar gjithsej 13 pacientë, ndërsa 15 mjekohen në shtëpi. Në spitalin e Shtipit në mjekim spitalor janë 4, ndërsa në mjekim shtëpiak 19 pacientë, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë./TV21