Ja sa raste aktive me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

Me 843 rastet e reja që u regjistruan dje në Maqedoninë e Veriut, numri i rasteve aktive pozitive në vend ka shkuar në 8.659.
Vetëm 3988 e tyre janë raste të regjistruara në Shkup.

Që nga fillimi i pandemisë, në vend janë regjistruar 106.110 raste pozitive. Prej tyre, betejën me virusin e kanë humbur 3.176 persona, ndërkaq janë shëruar 94.275 pacientë.
Numri i testeve të realizuara arrin në 537.024, transmeton TV21.
Ditëve paraprake është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve të reja me Covid-19, vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 843 raste të reja dhe 11 viktima nga 3.519 testet e realizuara.

Në vazhdën e rritjeve të rasteve pozitive, komuna e Gjevgjelisë dhe e Negotinës ka kërkuar vendosjen e orës policore në komunat e tyre duke filluar nga ora 21:00 deri në ora 05:00.
Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar se gjatë këtyre ditëve është bërë analizë, dhe gjatë javës që vjen do të vendoset se nëse Komisioni për sëmundje ngjitëse do të kërkojë ashpërsim të masave anti-Covid./TV21