Ja sa punonjës të Qendrës për Shëndet Publik në Gostivar, në izolim 14 ditor

Tetë të punësuarit në shërbimin epidemiologjik të Gostivarit do të qëndrojnë në izolim 14 ditor. Një ditë pasi një punonjës rezultoi pozitiv me Covid 19 në këtë institucion, sot mostra u janë marrë edhe punonjësve të tjerë. Nuk dihet ende kur do të hapet Qendra për Shëndet Publik, por drejtori i Spitalit të Gostivarit thotë testimet do të vijojnë në hapësira të veçanta në Spital. Spitali i Gostivarit, po ashtu kujdeset edhe për shëndetin e afro 240 personave të ardhur nga jashtë që janë izoluar nëpër hotelet e Mavrovës, ku po ashtu, ditë më parë janë lajmëruar dy persona me temperaturë të rritur.

Shpresoj se së shpejti ai institucion do vihet në shërbim, edhe pse një pjesë e spitalit që është afër atij institucioni i është dhënë në shërbim dhe punonjës të tjerë të institucionit vazhdojnë me marrje të testeve në afërsi të institucionit epidemiologjik këtu në Gostivar. Tash kemi dy raste që janë lajmëruar dhe të dy pacientët kanë qenë me temperaturë 37.4 gjegjësisht 37.3 që të dy janë hospitalizuar këtu dhe iu është marrë testi, konkretisht ai që u soll mbrëmë sot në orën dhjetë i është bë testi dhe do verifikohet, mirëpo kryesisht ata janë persona të ardhur nga jashtë dhe nuk janë të komunës së Gostivarit – deklaroi Jakup Jakupi, drejtor i Spitalit të Gostivarit.

Kreu i Komunës së Gostivarit Arben TAravari kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të shtojë numrin e testimeve të banorëve të Gostivarit.

Duhet të bëhen sa më shumë testime. Duhet Ministria urgjentisht të furnizohet me teste të shpejta sa më shpejtë. Që sa më shumë njerëz që kanë simptome të shkojnë të testohen dhe menjëherë të marrin rezultatet. Në Gostivar deri më tani janë testuar shtatëdhjetë apo tetëdhjetë njerëz që është shumë pak – tha Arben Taravari, Kryetar i Komunës së Gostivarit.

Sipas Taravarit, banorët e Gostivarit kryesisht i respektojnë masat, por bën apel për kujdes të veçantë gjatë dy javëve të ardhshme. Pavarësisht apeleve, disa qytetarë vijojnë të mos i respektojnë rekomandimet.

Dilni nga spitali po nuk mbani as doreza as maskë, përse?

“Ndjej se nuk kam nevojë ti mbaj tani për tani. Nuk i besoj aspak këtij virusi”.

“Në shpejtësi dola mos mbyllet barnatorja dhe ja harrova. Unë nuk dal aspak jashtë po e kisha patjetër shkaku medikamenteve”.

Në 24 orët e fundit, orën policore në Gostivar nuk e kanë respektuar 2 persona. Për momentin në këtë qytet 219 persona janë në izolim ndërsa 36 në karantinë me rekomandim të inspektoratit shtetëror të shëndetësisë.