Ja sa milionë euro Qeveria gjermane ndan grante për Kosovën

Qeveria gjermane ka ndarë dy grante, njërin në shumë prej shtatë milion eurove për arsim dhe tjetrin në shumë prej 6.5 milionë eurove, për bujqësi.

Marrëveshjet për këto dy grante janë nëshkruar të mërkurën nga ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovë, Rene Escheman. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ka qenë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

“Po nënshkruhen dy marrëveshje financiare që janë dy grante nga Qeveria gjermane përmes KfW-së, që i adreson dy prioritete e që janë përmirësimi i kualitetit në arsim dhe përmirësimi apo rritja e prodhimit bujqësor në Kosovë”, ka thënë Bislimi pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve grant, “Rritja e Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore” dhe “Fondi i Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi”, ka thënë Bislimi.

“Për vite me radhe, një nga sfidat më të mëdha të tregut të punës ka qenë mungesa e lidhjes midis tregut dhe sistemit të edukimit. Përmes grantit prej shtatë milionë eurove nga Qeveria gjermane do të mundohet adresimi i këtyre sfidave”, ka thënë ai.

Bislimi tha se përmes grantit prej 6.5 milionë eurove, që i dedikohet Fondit kosovar për Garantimin e Kredive do të mundësohet rritja e finacimit për sektorin e bujqësisë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Held, ka thënë ndërkohë se me gjithë pandeminë, duhet pasur parasysh zhvillimet afatmesme dhe ataftgjate të ekonomisë.

“Duke pasur parasysh kushtet e jashtëzakonshme kemi arritur të nënshkruajmë dy marrëveshje sot. Përkundër faktit që po përballemi me pandeminë duhet të kemi parasysh zhvillimet e mesme dhe afatgjata të ekonomisë. Fondi kosovar për garanci kreditore ka dëshmuar se është instrument i mirë, ka dëshmuar se është partner i besueshëm”, ka thënë ai.