Ja sa hetarë tokë janë djegur në Evropë për shkak të motit të nxehtë

Në zjarret pyjore që nga fillimi i këtij viti, në vendet e Bashkimit Evropian (BE) u dogjën rreth 750 mijë hektarë sipërfaqe. Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret Pyjore, që nga 1 janari e deri më 3 shtator në zjarret në vendet e BE-së janë djegur 750 mijë hektarë sipërfaqe ndërkohë që mesatarja vjetore e sipërfaqes së djegur në periudhën 2006-2021 ishte 260 mijë hektarë.

Vetëm në muajin gusht sasia e sipërfaqes së djegur është matur të jetë 508 mijë hektarë. Mesatarja për 15 vitet e fundit ishte 215 mijë hektarë. Shërbimi i Monitorimit të Atmosferës Copernicus (CAMS) i BE-së ka njoftuar se zjarret në stinën e verës në Evropë kanë shkaktuar emetimet më të larta në 15 vitet e fundit në kontinent.

Zjarret në vendet e BE-së dhe në Britani gjatë periudhës 1 qershor-31 gusht shkaktuan 6.4 megaton karbon. Kjo sasi e karbonit të shkaktuar kryesisht nga zjarret në Francë dhe Gadishullin Iberik, u regjistrua si niveli më i lartë që është matur në stinën e verës që nga viti 2007.

Ndërsa emetimi i karbonit në Francë dhe Spanjë në stinën e verës arriti në nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit. Mark Parrington, një nga ekspertët e CAMS ka tërhequr vëmendjen se zjarret kanë ndodhur kryesisht në rajone të tilla si Evropa Jugperëndimore ku bimësia është bërë më e djegshme për shkak të ndryshimit të klimës.