Ja sa është çmimi i makinës që Hitleri ia dhuroi Ahmet Zogut


Ai mori shumë dhurata për martesë, por kryedhurata mund të konsiderohej ajo e bërë nga kancelari Gjerman, Adolf Hitler – një Mercedez sportiv, kabriolet i kuq. Makina mbërriti në Shqipëri me tokë, duke ardhur nga Shkodra. Për prodhimin e saj u deshën thuajse gjashtë muaj, ndërsa ishte kryevepra inxhinierike e kohës dhe maksimumi i luksit që njihej.

Sipas “Corriere della sera” ekzistonte vetëm një ekzemplar tjetër i këtij modeli, ai i Hitlerit. Në fakt, gazeta italiane gabonte se Mercedez-Benzi që i ishte dorëzuar Mbretit Zog, më 19 prill të 1938-ës, ishte model 540K kabriolet, i njëjtë me atë që Hitleri i kishte dhuruar po atë vit për martesën mbretit Faruk të Egjiptit dhe liderit sovjetik, Stalinit, me rastin e 60-vjetorit të lindjes.

Makina ishte e kuqe, me veshjen e brendshme bezhë, me stemën mbretërore të stampuar në të dy dyert. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Zogu e mori atë me vete në Britani. Ajo figuron e regjistruar në Londër me targën “ENX 957”, por Mbreti doli me të vetëm një herë.

Në vitin 1944 nën shtytjen e Geraldinës, ai i dhuroi makinën Kryqit të Kuq Britanik dhe ky i fundit ia shiti një personi privat në vitin 1946. Për herë të fundit figuron pronë e një koleksionisti makinash, që në vitin 1987 e vendosi në një muze në Ilinois për tre vjet. Më pas u shënua se e mori i zoti dhe nuk dihet se ku gjendet më.

Besohet se ajo është pjesë e koleksionit privat të stilistit të njohur Ralph Lauren, por deri më tani ky i fundit as e ka pohuar dhe as e ka mohuar këtë gjë. Simotra e saj identike, makina e mbretit Faruk u shit në vitin 2006 në një ankand në Monte Carlo për shumën 921 mijë Euro! Makina në foto është ajo e Farukut, identike me atë të Zogut. Diferenca e vetme është se e Zogut kishte një të kuqe më të pastër.