Ja sa do të jetë rroga në ministritë dhe në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2023

Rroga mesatare bruto në Qeveri do të rritet për 5.350 denarë dhe vitin e ardhshëm do të jetë 64.200 denarë, ndërsa për 6.600 denarë do të zvogëlohet mesatarja në Kuvend dhe në vitin 2023 ajo do të jetë 66.900 denarë. Portalb.mk në vazhdimin e dytë të “Analizës javore ekonomike” i rendit rrogat në ministri, gjyqësor, agjenci…

Në shumicën e ministrive, rroga mesatare bruto për punonjës do të rritet…
Në Ministrinë e Arsimit, ku rrogat mesatare bruto janë më të larta në krahasim me disa nga ministritë tjera, vitin e ardhshëm është planifikuar rritje prej 13.500 denarë, ndërsa mesatarja do të arrijë në 58.822 denarë. Rritje më të theksuar prej afro 15.000 denarësh ka edhe në Ministrinë Financave, kështu që në vitin 2023 rroga mesatare bruto të arrijë në 60.685 denarë. Rritje prej 4.000 denarësh është llogaritur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku vitin e ardhshëm rroga mesatare bruto do të jetë 62.112 denarë. Për 7.100 denarë ka rritje në Ministria e Mbrojtjes, kështu që mesatarja do të jetë 55.068 denarë.

Në një nga ministritë me rrogat më të larta, Ministrinë e Punëve të Jashtme, rroga mesatare bruto do të rritet për 5.350 denarë dhe vitin e ardhshëm do të jetë 122.243 denarë

Rritje të rrogës mesatare ka edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ajo do të arrijë në 49.752 denarë, për 2.200 denarë më shumë në krahasim me këtë vit, ndërsa rroga mesatare bruto do të rritet për 2.500 në Ministrinë e Kulturës dhe me këtë do të arrijë në 49.509 denarë dhe në Ministrinë e Bujqësisë ku rroga mesatare do të jetë 43.358 denarë. Për rreth 4.000 denarë do të rritet mesatarja në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe do të arrijë në 41.910 denarë, për rreth 600 denarë do të ketë rritje në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ku mesatarja do të jetë 41.216 denarë, për 700 denarë ka rritje të rrogës mesatare bruto në Ministrinë e Mjedisit Jetësor, ku vitin e ardhshëm ajo do të arrijë në 47.319 denarë.

Ulje të konsiderueshme për 4.500 denarë të rrogës mesatare do të ketë në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, e cila vitin e ardhshëm do të jetë 50.214 denarë, ulje prej rreth 1.000 denarë ka në Ministrinë e Transportit me ç’rast mesatarja do të jetë 44.600 denarë, ndërsa në Ministrinë e Sistemit Politik ulja është 4.900 denarë, e kështu që rroga mesatare bruto do të jetë 38.282 denarë. Në Ministrinë e Ekonomisë mesatarja mbetet pothuajse në të njëjtin nivel prej 50.600 denarë, si edhe në Ministrinë e Drejtësisë ku me rritje minimale rroga mesatare do të arrijë në 44.357 denarë.

Rrogat mesatare bruto – në gjyqësor, agjenci…
Rritje të rrogës mesatare ka në institucionet e mëposhtme: Agjencia e Punësimit me rrogë mesatare bruto prej 38.474 denarë, për 6.500 denarë rritet rroga mesatare edhe në Entin Shtetëror të Statistikave me ç’rast ajo do të arrijë në 50.902 denarë; për 3.500 denarë do të rritet rroga bruto në Agjencinë për Rini dhe Sport dhe do të arrijë në 46.099 denarë; rritje prej 4.400 denarë ka në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku rroga mesatare bruto do të jetë 49.550 denarë. Rroga mesatare bruto do të rritet për 7.600 denarë në Drejtoria e Zonave të Lira Ekonomike (ZZHIT), dhe vitin e ardhshëm do të jetë 48.900 denarë. Në ASHAM vitin e ardhshëm rroga bruto do të zvogëlohet shumë pak dhe mbetet pothuajse në të njëjtin nivel prej rreth 45.500 denarë.

Në Këshillin e Prokurorëve Publikë, rroga mesatare bruto do të jetë 92.745 denarë, që është 500 denarë më shumë se këtë vit, në Prokurorinë Publike rroga mesatare bruto për punonjës do të jetë 66.749 denarë, që është për 3.600 denarë më shumë se sivjet. Në gjyqësor (gjykatat themelore, Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme…), rroga mesatare bruto vitin e ardhshëm do të jetë 52.401 denarë, gjegjësisht për 130 denarë më shumë se në vitin 2022. Rritje më e theksuar e rrogës bruto për punonjës për 8.212 denarë është llogaritur për punonjësit te Avokati i Popullit, me ç’rast ajo do të arrijë në 64.205 denarë./Portalb.mk