Ja pse u shty Gjykimi ndaj Zekirit, raport nga psikiatria!

Pas pranimit të ekspertizës për gjendjen shëndetësore të Muhamed Zeqirit, gjykimi për ish sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë i caktuar për 21 shkurt do të shtyhet, njoftojnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup.

“E kemi informuar opinionin se seanca shtyhet me faktin se është marrë ekspertizë me urdhër të gjyqit nga eksperti- psikiatër, sipas të cilit i akuzuari për shkaqe shëndetësore nuk është në gjendje të ndjekë gjykimin e ardhshëm”, theksohet në kumtesën e Penales.

Prej atje shtojnë se seanca kryesore do të vazhdojë sipas terminit të caktuar 13.03.2023 në orën 10, ndërsa për shtyrje të re të mundshme të seancës, siç theksojnë, opinioni dhe palët do të informohen me kohë. Zeqiri ngarkohet se duke “keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 89.385.255,00 denarë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari si zyrtar shtetëror-sekretar i përgjithshëm i Qeverisë me paramendim ka kryer dy aktivitete të ndërlidhura me kohën që paraqesin realizim të shumëfishtë të së njëjtës vepër.

“Ai në periudhën prej muajit prill 2021 deri në muajin mars 2022, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe autorizimin, në dy raste ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për prokurim publik, pa kryer procedurë përkatëse për furnizim publik në të cilën në mënyrë konkurruese personi juridik do të zgjidhej për realizimin e aktiviteteve të nevojshme, ka lidhur dy kontrata me dy persona juridikë si ofrues të shërbimeve”, qëndron në aktakuzë.