Ja pse është e rëndësishme të agjëroni në natën e Kadrit?

Nata e Kadrit njihet si nata kur Kurani zbriti në tokë. Sipas fesë islame, Nata e Kadrit dhe agjërimi i kësaj dite vlen sa 1000 muaj ose afërsisht 84 vite. E veçanta e kësaj nate qëndron në zbritjen e fjalës së Zotit përmes profetit Muhamed për mbarë njerëzimin.

Sipas fesë Islame, agjërimi në Natën e Kadrit konsiderohet i vlefshëm sa një mijë muaj. Sipas klerikëve, agjërimi dhe lutjet ndaj Zotit në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe jetën e njeriut gjatë një viti. Mendohet të jenë me mijëra dhe jo vetëm besimtarë myslimanë ata që agjërojnë në Natën e Kadrit, shumë më shumë se ata që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit. Këtë vit, Nata e Kadrit është nesër, më 8 maj.
Nata e Kadrit është një natë e veçantë për të gjithë ata që e kërkojnë atë dhe synojnë të përfitojnë nga mirësitë e saj. Kjo është natë adhurimi, bindjeje ndaj Zotit, namazi, leximi, përkujtimi, lutjesh, sadakeje, punësh të mira etj.

Përse Zoti nuk e ka bërë qartësisht të ditur atë?
Përse ajo është mbajtur e fshehtë dhe besimtarët janë urdhëruar ta kërkojnë atë në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit?

Zoti e ka fshehur atë njësoj siç ka fshehur pranimin e veprave të adhurimit, në mënyrë që të kryejmë sa më shumë prej tyre. Ai e ka fshehur pranimin e lutjeve në mënyrë që ne të mos i neglizhojmë ato, por të përpiqemi të kryejmë sa më shumë të tilla. Ai e ka fshehur pranimin e pendimit tonë, në mënyrë që ne të jemi gjithnjë në gjendje pendimi. Zoti e ka fshehur prej nesh emrin e Tij më të madh, përmes të cilit është e mundur përmbushja e çdo lutjeje, në mënyrë që ne të mos i neglizhojmë emrat e tjerë të Tij, por të thellohemi në meditimin e tyre dhe në lutjen e Zotit me to.

Çfarë duhet të bëjë një besimtar Natën e Kadrit?
Një besimtar, Natën e Kadrit falet dhe adhuron, lutet dhe kërkon. Bën sadaka dhe nuk resht së adhuruari këtë natë. Ai adhuron duke shpresuar tek i madhi Zot dhe te falja e tij, atij do t’ia falë Allahu gjynahet dhe kjo është begati e madhe për besimtarin.

Të bëjë sa më shumë dua (lutje).
Të pendohet për mëkatet dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot.
Të shtojë të përmendurit dhe të madhëruarit e Allahut dhe falënderimet.
Të bëjë salavat, përmendje për pejgamberin.
Të japë lëmoshë sa të ketë mundësi.
Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve duarve, këmbëve, syrit, veshit, etj.
Të falë namaz vullnetar dhe namazin e natës më tepër se zakonisht.
Nata e Kadrit është një natë faljeje e shpërblimi, mirësie e begatie, s’ka si të mos vlejë sa njëmijë muaj. Ji falënderues që e arrite edhe këtë vit këtë natë të begatë, Kadër.