TV21 mëson jozyrtarisht se Naser Zyberi do të emërohet Avokat i popullit në Maqedoninë e Veriut. Konfirmim zyrtar nga Zyberi ende nuk ka por burime të TV21, thonë se Zyberi do të jetë pasuesi i Ixhet Memetit, të cilit mandati i skadon më 24 dhjetor 2020. Sipas kushtetutës Avokati i Popullit zgjidhet nga Kuvendi me mandat 8 vjeçar. BDI në fushatën parazgjedhore Naser Zyberin e paraqiti se kryeministër të ardhshëm të vendit.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në konferencën pas mbledhjes së këshillit të partisë më 19 gusht, i pyetur se çfarë do të bëhet me Naser Zyberin, deklaroi: “Ju të gjithë e dini se z. Zyberi është noter dhe ai vazhdon veprimtarinë e tij si noter deri në një moment kur do të arrihet të dakordohemi për ndonjë përgjegjësi të rëndësishme që ka të bëjë me profesionin e tij”.
Ndryshe një mandat i Avokatit të Popullit zgjatë 8 vjet, me të drejtë të rikandidimit edhe për një mandat.
Avokati i popullit aktual Ixhet Memeti në këtë pozitë erdhi në vitin 2004, ndërsa në vitin 2012 mandati iu vazhdua edhe për 8 vite tjera. Këtë pozitë ai do të lëshon pas 16 vjetëve. Për herë të parë në Maqedoni, Avokati i Popullit është zgjedhur në vitin 1997 dhe ai ka qenë Branko Naumovski.